E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Takimet sekrete për drogën”

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj Abdulla Mukës, person i akuzuar për trafikim narkotikësh dhe falsifikim dokumentesh. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave procesi po zhvillohet paralelisht në Shqipëri dhe Gjermani, pasi në trafikimin e drogës është implikuar edhe një shtetas gjerman. “Sipas hetimeve, shtetasi gjerman i quajtur Viktor Nidens, ka biseduar nga Gjermania në telefon me të pandehurin Abdulla Muka. Pasi kanë biseduar mes tyre, ata kanë lënë të takohen në një pikë kufitare të shtetit shqiptar, me qëllim blerjen e lëndës narkotike”, tha prokuroria. Të njëjtat burime konfirmojnë se shtetasi gjerman, pasi ka mbërritur në Shqipëri më 6 shtator 2008 është takuar me shtetasin shqiptar që po e priste, Abdulla Muka. “Të dy personat së bashku kanë kaluar kufirin shqiptar të nesërmen e mbërritjes së gjermanit në Shqipëri, më 7 shtator 2009. Ata kanë udhëtuar për në Maqedoni. Atje janë takuar me një shtetas maqedonas nga i cili kanë marrë një sasi lënde narkotike heroinë në masën rreth 1 kilogram”, tha më tej prokuroria. Sipas saj, pasi ka marrë drogën, shtetasi gjerman është nisur për t’u kthyer në drejtim të Gjermanisë ndërsa ndihmësi i tij shqiptar Abdulla Muka është kthyer në Shqipëri.
Skema e trafikut
Hetimet e Prokurorisë në Tiranë kanë arritur të zbulojnë se shqiptari që shoqëroi gjermanin gjatë trafikimit të heroinës, kishte qëndruar më parë në Gjermani. “Abdulla Muka ka qenë emigrant në Gjermani dhe atje është njohur me shtetasin gjerman Viktor Nidens”, thanë burimet. Sipas tyre, bazuar në njohjen mes tyre, gjermani ka telefonuar shtetasin shqiptar për t’i kërkuar ndihmë që ta shoqëronte deri në Maqedoni, ku do të merrte sasinë e drogës që i nevojitej. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, shqiptari i pandehur në këtë çështje, Abdulla Muka, ka pasur precedentë të mëparshëm penalë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, ku është dënuar me 5 vjet burg për mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Dosja penale ndaj tij, e dërguar dje për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, është kompletuar pas provave të mbërritura nga Gjermania. “Më 23 shtator 2008, autoriteteve të shtetit gjerman, u është kërkuar të dhëna në lidhje me shtetasin gjerman Viktor Nidens, i cili është arrestuar nga autoritetet policore gjermane, pasi ka transportuar një sasi lënde narkotike të tipit heroinë nga territori shqiptar”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, përgjigja nga pala gjermane ka mbërritur më 11 shkurt 2009, ku faktohej se shtetasi gjerman Viktor Nidens ishte arrestuar me 1 kilogram heroinë pasi kishte dalë nga territori shqiptar.

Si u kap në Tiranë i kërkuari në Gjermani
TIRANE - Policia e kryeqytetit arrestoi rreth një vit pas trafikimit të heroinës, të dyshuarin Abdulla Muka. Ai ra në pranga më 9 prill 2009 pas një aksioni të policisë së kryeqytetit për kapjen e tij. Me një urdhër ekzekutimi penal, të firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është arrestuar nga Antidroga e Drejtorisë së Përgjithshme Abdulla Muka, 48 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ndaj këtij personi Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, të shtunën e kaluar, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Sipas burimeve, Abdulla Muka figuronte në dosjet e policisë, si person me precedentë penalë të mëparshëm, në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së drogës. Ai ka kaluar 5 vjet në një burg në Gjermani, vepra penale që lidhen me narkotikët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›