Qyteti i filmit

Të shtunën në Prizren u hap edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest. Ceremonia e Hapjes në Kino Lumbardhi filloi me shfaqjen e filmit “5 Broken Cameras” të regjisorëve Emad Bornat dhe Guy Davidi. Në kohë të njëjtë, tri kinema tjera iu bashkuan festës.
Përmes një komunikate për media, të dërguar nga organizatorët, bëhet e ditur se kinemaja mbi Lumë shfaqi filmin ‘Chasing Ice’ dhe ‘Half a Revolution’, Kino Kalaja shfaqi filmin ‘Only the Young’ nga regjisorët Jason Tippet, Elizabeth Mims dhe “Marina Abramoviç: The Artist is Present”.
Ndërsa kinemaja e re, Kino Europa filloi jetën me këtë edicion të DokuFestit me shfaqjen e filmit“Crulic: The path to beyond” nga regjisorja Anca Damian Rumuni. Koncertet live DokuNights u hapen te Mullini, me performancën e grupit të njohur nga Sarajeva, Emir and the Frozen Camels.
“Në festën e vitit tonë të 11’të, do të shfaqim 160 dokumentarë dhe filma të shkurtër. Të shtatë kinematë janë gati dhe po presin për maratonën e projeksioneve. Më shumë se 200 artistë vendorë dhe internacional do të arrijnë në Prizren këtë javë. Prizreni prapë është pikëtakimi i artistëve, të rinjve dhe adhuruesve të filmit nga mbarë bota”, thuhet në komunikatë.
DokuShop dhe Pika e Informacionit ku mund të blihen biletat, katalogët, çantat dhe maicat, tashmë janë të instaluara në Shatërvan. Rrëzë Lumit Bistrica është instaluar kampi i festivalit i cili është i gatshëm për të pritur qindra vizitorë. Shtëpia e Kulturës edhe sivjet është pika qendrore e festivalit, ku përveç kinemasë gjendet edhe zyra e Mikpritjes, Zyra e Medieve dhe Doku Café.
Ndërkaq, të dielën, u mbajt konferenca e parë për shtyp e DokuFest. Konferencën e hapi drejtori artistik i festivalit Veton Nurkollari, i cili tha se sivjet ka qenë hapja më e madhe e festivalit për shkak që në të njëjtën kohë në qytetin e Prizrenit janë shfaqë shtatë filma në katër kinema të ndryshme, përfshirë kinemanë e sapohapur në Prizren, Kino Europa. Nurkollari foli edhe për programin e larmishëm të këtij edicioni dhe pohoi se sivjet DokuFesti pret të ketë deri 20 përqind më shumë mysafirë që do të vizitojnë festivalin.
Në konferencë folën edhe anëtari i jurisë për garën e filmave për të drejtat e njeriut, shkrimtari i njohur nga Shqipëria Ben Blushi. Ai tha se DokuFest është një festival magjik i cili i ka dhuruar Prizrenit identitet artistik.
Riina Spørring Zachariassen, menaxhere e Industrisë në CPH:DOX, e krahasoi DokuFestin me festivalet e tjera të mëdha në të cilat, sipas saj, publiku ka shumë më pak qasje në organizim. Ajo tha që DokuFesti e mahnit atë për shkak që i gjithë Prizreni dhe qytetarët e tij kanë lidhshmëri të fortë me festivalin.
Bernd Stracke, i cili është protagonisti i dokumentarit “Ostpunk!”, tregoi se ai ka ardhur në Prizren me tetë gazetarë nga Gjermania, të cilët do të mbulojnë festivalin gjatë ditëve në vijim.