RENIE E LEHTE E INTERESAVE PER KREDITE NE LEKE
Interesat e kredive në lekë kanë pësuar një rënie të lehtë në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të publikuara nga TV SCAN, për muajin Maj interesi mesatar i kredive të reja në lekë ishte 11.1%, nga 11.3% që kishte qënë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, interesi mesatar i thjeshtë i kredive të reja të dhëna në pesë muajt e parë të këtij viti ishte 10.94%, nga 11.42% që ishte interesi mesatar në pesë muajt e parë të vitit 2012.
Që nga Marsi i vitit 2012, norma bazë është ulur me 0.75 pikë përqindje, ndërsa interesi mesatar i kredive në lekë ka rënë me afërsisht 0.5 pikë përqindje. Ulje afërsisht në të njëjtën masë kanë pësuar edhe interesat e depozitave në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, për muajin Maj, interesi mesatar i depozitave të reja 12 mujore ishte 5.1%, nga 5.7% që ishte një vit më parë. Ndërsa interesi mesatar i depozitave 12 mujore për pesë muajt e parë të vitit ishte 5.18%, nga 5.68% që kishte qënë në pesë muajt e parë të vitit 2012. Këto të dhëna tregojnë se politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë ka pasur një
ndikim në çmimet e depozitave dhe të kredive në monedhën vendase.
Megjithatë, transmetimi i politikës monetare është i pjesshëm dhe kjo i detyrohet faktorëve të ndryshëm. Në rastin e depozitave, është konkurrenca mes bankave që i mban normat e interesit ende relativisht të larta. Për sa i takon kredive, mospërcjellja e plotë e uljes së normës bazë lidhet kryesisht me rritjen e rrezikut të tregut dhe me shkallën e lartë të kredive me probleme. Një rrezik më i lartë për humbje nga kreditë përkthehet në norma më të larta interesi për huamarrësit.