E Shtunë, 31 Tetor 2026

REPORTAZH/ Laçi nën terrorin e bandave! Persona të shpallur në kërkim, pjesëmarrës në vrasjen e Gjon Gjonit

vrasjaNga Lindita Çela

Gjon Gjoni, emigrant në Greqi, është ekzekutuar pranë qendrës së votimit në qendër të qytetit të Laçit.

Babai i dy fëmijëve ka gjetur vdekjen, ndërkohë që të dyshuar si pjesëmarrës në vrasje kanë qenë dhe një person i shpallur në kërkim, e që lëvizte krejt i lirë në Laç.

Emigranti, i ardhur para tre javësh në Shqipëri, për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, mësohet të jetë konfliktuar pasditen e së shtunës me pjesëtarë të familjes Fufi, që janë dhe përkrahësit e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës.

Banorë të Laçit thonë se Gjon Gjoni njihej si njeri me jo pak ndikim në qytet, ndërkohë që ishte simpatizant e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Bindjet e kundërta politike duket se ka qenë dhe motivi kryesor i konfliktit të emigrantit me të afërmit e kandidatit të Partisë Demokratike, konflikt ky që çoi dhe në përplasjen me armë mes tyre, ku Gjon Gjoni ka gjetur vdekjen.

Ngjarja

15 gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme, të tipit pistoletë është ajo çka ka mundur të sigurojë në vendngjarje policia, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme At Shtjefën Gjeçovi në Laç.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit është ekzekutuar simpatizanti i LSI-së si dhe janë plagosur Mëhill Fufi, rreth 49 vjeç, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike dhe Kastriot Fufi, vjeç 39, banues në Mamurras, i cili pas marrjes së ndihmës së parë ka dalë nga spitali.

I përfshirë në ngjarje, sipas dëshmitarëve, ka qenë dhe P.F., person që ndodhet në listën e të kërkuarve, por që lëvizte normalisht në Laç.

Dëshmitarë në vendngjarje thonë se mes dy palëve fillimisht ka pasur debate e menjëherë janë dëgjuar të shtënat e armëve, të cilat për pak minuta kanë terrorizuar vendasit.

E ndërsa Gjon Gjoni ka gjetur vdekjen, i bërë shoshë nga plumbat, autorët e vrasjes, sipas dëshmitarëve, janë larguar me makinë pa targa, tip fuoristradë.

Zyrtarisht, Arben Hajdarmataj, drejtori i policisë së qarkut të Lezhës, thotë se po punohet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që asnjë person nuk është i ndaluar, megjithëse vrasësit i njeh kushdo në qytetin e Laçit

Nën terrorin e bandave

Makina pa targa, disa syresh të mbuluar me flamuj të Partisë Demokratike, enden sa në një qendër në tjetrën.

Janë makina të tipit të fundit, e shoferët, qoftë dhe nga mënyra e drejtimit të timonit, demonstrojnë gjithë forcën për të treguar se ata janë zotër të Laçit.

Pluhuri që ngrenë pas, teksa çajnë rrugën në drejtim të Sanxhakut, krijon një tymnajë aq të frikshme sa gjithçka aty duket se është pjellë e bandave që sundojnë e ndajnë qytetin.

Aq e vërtetë është kjo, sa askush në Laç nuk flet sa për sa ka parë e për sa di, megjithëse 4 burra u përgjakën bash mu në sy të tyre.

Askush nuk guxon të flasë për fisin Fufi e as për emigrantin e ardhur për të kontribuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Askund në qytet nuk shihet prezenca e forcave të policisë, megjithëse situata duket e tensionuar.

Dy reparte të forcave RENEA-, që u gjendën në Laç pas ngjarjes, u strehuan në komisariatin e qytetit, në pritje për të ndërhyrë në rast se do të urdhëroheshin ekzekutimin e urdhër-arresteve për fisin Fufi.

Ndërkohë që në qendrën e votimit, ku u vra Gjoni, laçianët kanë braktisur votimin.

Në ndryshim me qendrat e tjera të votimit, ku një numër i madh  njerëzish mbajnë të rrethuar zonën, në qendër të Laçit situata është e qetë.

Shkëmbimi i zjarrit, për minuta të tëra, thuajse u ka kallur datën njerëzve. Aq e vërtetë është kjo sa policia e ka pasur të pamundur për të siguruar dëshmi të personave në vendngjarje, megjithëse të pranishëm kanë qenë një numër i konsideruar njerëzish.

Politika përplas policinë me prokurorinë

Fakti që në ngjarjen ku gjeti vdekjen Gjon Gjoni është përfshirë kandidati i Partisë Demokratike, duket se ka kushtëzuar  veprimet e policisë së qarkut të Lezhës.

Deri në orët e vona të pasdites, drejtorit i qarkut të Lezhës thotë se nuk ka asnjë person të dyshuar si autor të ngjarjes  apo dhe persona të shpallur në kërkim.

Ndërkohë që në cilësinë e dëshmitarëve, Arben Hajdarmataj thotë se janë marrë në pyetje Kastriot Fufi dhe Enver Curri.

Por drejtori i policisë thotë se dëshminë e tyre nuk mund të bëjë të ditur për shkak të hetimeve, ndërkohë që krejt të kundërtën thonë burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat edhe po ndjekin hetimet të ngjarjes që përgjaku zgjedhjet në Shqipëri.

Sipas këtyre burimeve, dëshmitarët e policisë në vendngjarje dyshohen dhe si autorë të vrasjes.

Kastriot Fufi është kushëriri i dytë i kandidatit për deputet të PD-së, Mëhill Fufi.

Ndërsa Enver Curri është kunati i simpatizantit të LSI-së.  Megjithatë, deri në mbrëmje policia nuk ka bërë të ditur asnjë  person të arrestuar për ngjarjen, ndërkohë që gjatë ditës së nesërme pritet të zhvillohet dhe ceremonia mortore e 49 vjeçarit.

Mësohet se bashkëshortja e tij, së bashku me dy fëmijët, është nisur nga Greqia pasi është njoftuar për ngjarjen e rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›