E Shtunë, 31 Tetor 2026

REPORTAZH/Në kërkim të emrit të humbur në PD!

votimetNga Lindita Çela

Jonida Hyseni, një vajzë rreth të 25-ve, ka lënë të gjitha punët për të marrë pjesë në procesin historik të së djathtës, atë të  zgjedhjes së kryetarit të ri.

Pasi ka kapërcyer pragun e derës së partisë së saj, duke i dhënë  llogari deri më një rojës, Jonida ia del të ngjitet në katin e dytë, aty ky anëtarët e njësisë nr. 8 dhe 10, anëtarët e  kryesisë, deputetët dhe ministrat e Partisë Demokratike kanë votuar sot për kryetarin e ri.

Por angazhimi historik i Jonidës përfundon këtu, pikërisht në katin e dytë të selisë blu.

Një grup pune, i ngritur për të drejtuar votën e anëtarëve të partisë, nuk lejon që vajza ti ofrohet kutisë së votimit apo komisionit zgjedhor.

Që në hyrje të sallës së madhe, aty ku zakonisht Berisha mbledh Këshillin Kombëtar, i thonë se emri i saj nuk është në listë, megjithëse ndër duar mban kartën e anëtarësimit të Partisë Demokratike.

Por vajza e re nuk është ndër ato votues që zmbrapset lehtë, si bie fjala Merita Lumi, një anëtare tjetër e partisë që, dhe pse ka 23 vjet që militon në këtë forcë politike, sërish nuk gjen emrin e saj.

Merita, pasi i thonë që nuk ka emrin, ikën duke shfryrë tërë dufin dhe mllefin ndër hartuesit e listave, që me sa duket i kanë bërë çorap, jo pa qëllim.

Si Merita Lumi janë të shumtë anëtarët që nuk kanë gjetur emrin në listën e votimit.

Madje, jashtë listave janë lënë dhe kryetarë të grupeve të seksionit, siç ishte rasti i Leonard Grabovës, që dhe ai nuk është lejuar të votojë.

E ndërsa disa anëtarë as që janë lejuar ti ofrohen kutive, krejt e kundërta ka ndodhur për një pjesë tjetër anëtarësh.  Mjafton që të kishe adresimin e duhur dhe komisioni i vëzhgimit bënte një sy qorr dhe një vesh shurdh.

Keltis Kruja, prefekti i Tiranës, është kujdesur vetë që votues të caktuar të mos pengoheshin në votim, ndërkohë që mungesa e emrave në lista dhe procesi i kontrollit të grupeve të caktuara,  duket se ka sjellë jo pak çoroditje mes anëtarëve të Partisë Demokratike.

Kjo ka bërë që shumica e anëtarëve të bojkotojnë procesin, ku dy orë para përfundimit të votimit, pjesëmarrja ka qenë 30 përqind.

Edhe në zgjedhjet për kryetar partie nuk u hoq dorë nga sëmundja e vjetër shqiptare, ajo e votimit kolektiv, ku një person votoi për disa persona të tjerë.

Mijëra anëtarë jashtë listës

Florian Xhuti është një prej anëtarëve të komisionit organizativ që është marrë me hartimin e listave të anëtarëve të Partisë Demokratike.

Ndërsa ekzistojnë mijëra emra të përjashtuar nga votimi, në selinë blu nuk gjen qoftë dhe një njeri që të shpjegojë çka ndodhur me emrat e anëtarëve.

Florian Xhuti ishte zhdukur që kur në orët e para të ditës u raportuan problemet me listat e anëtarëve.

Ndërsa komisioni zgjedhor mjaftohet duke u thënë se nuk kanë emrin në listë, ndërsa ata që insistojnë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse sorollaten nëpër godinë, pa marrë qoftë dhe një shpjegim. Anëtarët e partisë janë përballur me zhdukjen e emrit të tyre në momentin kur kanë shkuar për të votuar.

Kjo për faktin se listat e anëtarëve janë afishuar pasditen e djeshme.

Por mosafishimi në kohë i listave nëpër qendrat e votimit, nuk ka qenë shkelja e vetme e konstatuar në këtë proces historik të zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike.

Kanë qenë të shumtë votuesit që emrin e tyre e kishin në listat e përgjithshme të anëtarësisë, por jo në atë të komisionit zgjedhorë.

Mëngjesin e së hënës, atëherë kur ka nisur procesi i votimit, komisioni zgjedhor është pajisur me lista të veçanta mbi të cilën është lejuar edhe votimi.

Tirana nuk ka qenë i vetmi qytet ku janë hasur problematika të tilla.

Pothuajse në të gjitha qendrat e votimit në mbarë vendin, është raportuar heqja e emrave të caktuar, ndërsa i vetmi njeri që ka  folur publikisht për këtë fenomen, ishte Sokol Olldashi, me sa duket kandidati i gjymtuar nga ky proces.

Olldadhi tha se mijëra emra janë hequr nga lista, e për këtë u kërkonte ndjesë anëtarëve.

Sipas tij, ditët e fundit janë shtuar 2500 emra të rinj, për të cilën Olldashi tha se kishte dijeni.

Jonida Hyseni ishte pikërisht një prej tyre. Pasi vajza e re bëri namin në të gjithë godinën, falë ndërhyrjes së njerëzve të caktuar, u lejua të votojë, pikërisht në atë komision, të kryesuar nga Gjergj Lezhja, e me anëtarë Halit Shamata, Paulina Hoti, Gazmend Dibra, Bahrije Isufi, Arben Ibro dhe Genti Minarolli.

Por pa njerëzit e duhur vajza nuk qasej as tek hyrja e godinës së Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›