E Diel, 1 Nëntor 2026

REPORTAZH/Orët e gjata të pritjes së familjarëve, vajzat përcillen me lot në sy për në Austri

Enkeleda Agalliu

Janë nisur dje për në Austri, Eriselda Gubere dhe Florije Peçi, dy studentet që ranë në gjendje kome, pas aksidentit tragjik të Himarës, ku humbën jetën 13 persona, dhe mbetën të plagosur 20 të tjerë. Vajzat pritet të marrin një trajtim mjekësor më të specializuar në klinikën e Vjenës, si shpresën e fundit për ti kthyer në jetë.
Familjarët
E ëma e Eriseldës, ka katër ditë që gdhihet dhe ngryset në spitalin ushtarak. Jeta në pikëpyetje e së bijës e ka kërrusur dhe e ka bërë një gjysmë njeri. Një grua e vogël në trup, por me një forcë të madhe në shpirt mundohet të jetojë me shpresën se e bija nuk do ta braktisë për të ikur në botën tjetër. Kush e di sa plane ka thurur për vajzën e saj, sa e sa herë e ka ëndërruar të veshur nuse, e tashmë e sheh të shtrirë në dhomën e spitalit, në pritje të ndonjë mrekullie për tu zgjuar. Bashkë me gruan trupvogël, janë dhe prindërit e vajzës tjetër Florijes, dhe dhjetëra familjarë të studenteve të plagosura, të cilët nuk kanë vënë gjumë në sy që prej së hënës së mallkuar të 21 majit.
Qëndrimi në spital
Asnjë prej tyre nuk është larguar nga spitali që prej aksidentit. Ditën e kalojnë duke biseduar me njëri-tjetrin për fatin e mallkuar të vajzave të tyre, ndërsa natën qëndrojnë zgjuar, apo flenë ulur në stolat e lulishtes së spitalit ushtarak. Nuk duan të largohen asnjë minutë nga vajzat e tyre, iu duket sikur një minutë larg tyre do ti ndajë përgjithmonë. Herë pas here i sheh të trokasin në zyrën e drejtorit të spitalit apo të ndalin mjekët që hyjnë në pavijone për ti pyetur se çfarë po ndodh me shëndetin e vajzave?! Kur do të shërohen ato, dhe kur do mund të dalin nga spitali? I kemi rritur me mundime, për ti çuar në shkollë, për të mos i munguar asgjë, por këtë mallkim nuk e prisnim gjallë në botë. Nuk e dimë çfarë qe kjo gjëmë që na ra. Nuk kemi forcë të jetojmë. Jemi ngulur këtu në spital, kemi ditë që nuk shkojmë në shtëpi, as te të afërmit tanë që jetojnë në Tiranë nuk kemi shkuar për tu qetësuar. Nuk duam të ndahemi prej vajzave, duam ti shohim si i kishim. I lutemi Zotit ditë e natë që të shërohen. Jetojmë me shpresë…, na thanë ne gazetarëve, nënat e përlotura, teksa na pyesnin për ndonjë informacion më të saktë, në pritje të mbërritjes së avionit nga Austria.
Transporti
Rreth orës 16:00 dy vajzat janë përcjellë me ambulanca për në Rinas, ku i priste avioni, që më pas do ti shoqëronte direkt për në klinikën austriake. Orët e pritjes së avionit, u dukën të gjata, tmerr… Nga Ministria e Shëndetësisë ishte lajmëruar qysh një ditë më parë se nisja e vajzave do të bëhej rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, por oraret e avionit u ndërruan më shumë se 5 herë, deri kur në fund drejtori i spitalit Bedri Mihja tha për familjarët dhe mediat se avioni do të ulej në Rinas, në orën 15 e 45, ndërsa nisja e vajzave do të bëhej në orën 4 të pasdites. Lot gëzimi dhe hidhërimi rridhnin nga sytë e prindërve, të cilët jetojnë me shpresën dhe lutjet në Zot, se vajzat e tyre do të kthehen shëndoshë e mirë nga Austria.
Nisja nga Rinasi
Në orën 17:00 avioni la Rinasin por të fluturuar drejt Vjenës, vend që do të përcaktojë edhe fatin e dy vajzave shqiptare. Jo vetëm familjarët e tyre, por gjithë Shqipëria është në pritje të lajmeve të mira nga Austria. Mjekët do bëjnë me dije herë pas here se si do të eci trajtimi i vajzave në klinikën e huaj. Edhe pse mjekët tanë bënë të pamundurën për tu dhënë vajzave ndihmën më të mirë mjekësore, trajtimi jashtë shtetit u pa si një mënyrë më e sigurt për përmirësimin e shëndetit të tyre. Nisja e vajzave në Austri u bë e mundur pas apelit dhe interesimit të veçantë dhe të vazhdueshëm të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili. Ambasada austriake në Tiranë dhe Raifaiesen Bank sponsorizuan kurimin e tyre për në klinikën e specializuar në Vjenë të Austrisë.

Ora 16:00, nisja nga spitali
Pasditen e djeshme rreth orës 16:00, në Spitalin Ushtarak mbërriti ambulanca, e cila mori 2 vajzat e tragjedisë së Himarës, të cilat ndodhen në gjendje kome, për ti transportuar në aeroportin e Rinasit. Eriselda Gubere dhe Florije Peci pritet të nisen për kurim të specializuar në Austri, pasi gjendja e tyre nuk gjeti përmirësim në spitalin shqiptar.

Ora 16:30, mbërritja në areoport
E para e cila ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, ka qenë Florije Peci. Ndërkohë, vetëm pak minuta më vonë ka mbërritur në aeroport edhe ambulanca e dytë me Eriselda Guberen. Vajzat janë shoqëruar deri në Rinas nga mjekët të cilat i kanë mjekuar për ditë me radhë, por bashkë me ta është nisur dhe drejtori Bedri Mihja, dhe familjarë të vajzave të plagosura.

Ora 17:00, nisja në Rinas
Avioni sanitar, i cili transportonte Florije Peçin dhe Eriselda Guberen ka lënë aeroportin e Rinasit rreth orës 17:00 për tiu drejtuar Vjenës, ku të plagosurat do të marrin një mjekim më të specializuar. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja përcollën vajzat në aeroportin e Rinasit.

Gjendja shëndetësore
Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në 4 vertebra të shtyllës kurrizore dhe në veshka. Dy vajzat janë në gjendje kome, që prej 21 majit, ditën kur ndodhi edhe aksidenti tragjik, në urën e Vishës, i cili i mori jetën 13 personave, mes të cilëve 11 studente të Universitetit Aleksandër Xhuvani.

Mjekët: Vajzat do dalin nga spital
Pas përmirësimit të gjendjes së tyre shëndetësore kanë lënë spitalin e Vlorës 5 studente të cilat i shpëtuan aksidentit tragjik të Himarës. Mësohet se vajzat që kanë lënë spitalin e Vlorës janë shoqëruar nga ambulancat në drejtim të qyteteve të tyre. Mjekët e spitalit të Vlorës, deklarojnë se vajzat që kanë dalë nga spitali janë: Ergita Opingari; Ticiana Hysaj; Anisa Hysa, Enkela Daja dhe Adisa Çela. Ditën e djeshme mjekë të Spitalit Ushtarak bënë me dije për mediat se disa nga vajzat e shtruara në spital pritet të dalin këto ditë nga spitali, pasi gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm. Këto ditë të tmerrshme studentë të Universitetit të Elbasanit dhe familjarë të vajzave të plagosura kanë kaluar ditë e natë në hidhërim duke pritur e u lutur që fati tu kursente jetën atyre, që kishin mundur të mbijetonin edhe pse me dëmtime të pakthyeshme. Ndërsa familjet e viktimave të pikëlluar nga tragjedia kanë tërhequr trupat e vajzave të tyre për ti takuar për të fundit herë përpara se ti nisin për në banesën e fundit. Kjo tragjedi e papritur bëri që të derdhnin lot të gjithë shqiptarët. Humbja e studenteve pikëlloi pa masë edhe shtetarët tanë, që rrallë i sheh të derdhin lot. Mjekët, gazetarët, e deri të kryeministri i vendit Berisha, derdhën lot hidhërimi për humbjen e 13 jetëve të aksidentit të Himarës, ndërsa luten për jetët në rrezik të Florijes dhe Eriseldës…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›