E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paditë e KLSH, Prokuroria hap 4 dosje

Katër procedime penale janë regjistruar nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me denoncimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime financiare në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Kulturës. Pas përfundimit të kontrolleve nga KLSH-ja, në Prokurorinë e Përgjithshme u dorëzuan raportet me të dhënat e mbledhura për rastet kur konsiderohet se janë kryer shkelje penale. Prokuroria e Përgjithshme, pasi i ka shqyrtuar paraprakisht raportet e KLSH-së, ia ka kaluar ato Prokurorisë së Tiranës, e cila ka ngarkuar Njësinë Task-Force Antikorrupsion për hetimin e këtyre rasteve. Pas shqyrtimit paraprak të materialeve të KLSH-së është vendosur regjistrimi i procedimit penal në katër raste, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, pas kontrolleve të kryera në lidhje me koncesionet e 32 hidrocentraleve në Ministrinë e Ekonomisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën prej 595 146 011 lekë. Për këtë arsye, në përfundim të kontrollit, KLSH ka sjellë dy kallëzime penale në organet e Prokurorisë për 5 punonjës, respektivisht një drejtor i Përgjithshëm, një drejtor Drejtorie, dy përgjegjës sektori dhe një specialist, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, procedimi i dytë penal që është filluar, bën fjalë për abuzimet e konstatuara në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. KLSH ka evidentuar në këtë ministri elemente të veprave penale dhe ka bërë kallëzim penal për 6 punonjës, të cilët akuzohen se kanë shkaktuar vlerën e dëmit ekonomik prej 9 237 863 lekësh. Nga të denoncuarit mësohet se njëri është drejtor Kabineti, ndërsa të tjerët janë dy drejtorë të Përgjithshëm dhe 3 përgjegjës sektori në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Në këtë ministri, sipas KLSH-së, dëmi ekonomik dhe shkeljet ligjore janë shkaktuar me anë të financimit të spoteve publicitare televizive apo platformave dekorative për ditën e 1 Majit, si dhe aktivitete të tjera të organizuara nga dikasteri. Kallëzimi i katërt për të cilin Prokuroria ka nisur procedim penal, bën fjalë për abuzimet e gjetura në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Sipas Prokurorisë, në këtë kallëzim të KLSH-së flitet për realizimin e spoteve televizive që promovojnë turizmin në Shqipëri, të cilat janë transmetuar në Euronews dhe CNN. Për abuzimet e gjetura në këto procedura, KLSH ka denoncuar gjashtë zyrtarë të Ministrisë në fjalë dhe komisioneve që kanë realizuar vendimmarrjen.

Raportet me Prokurorinë
Pak ditë më parë, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, mbajti një takim me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Objekti i takimit ishte bashkëpunimi i Prokurorisë me KLSH-në në lidhje me goditjen e abuzimeve në administratën shtetërore. Raporti i KLSH-së me Prokurorinë ka qenë gjithnjë problematik, pasi Prokuroria ka mbyllur kallëzimet e KLSH-së duke i konsideruar të paplota.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›