Policia kundërshton ekspertët dhe ia ngec fajin shoferin e autobusit
Tejet kontradiktore dhe mund të themi abuzuese ka qenë Policia e shtetit ditën e djeshme ndërsa ka bërë me dije se shkaku kryesor për aksidentin në Himarë është bërë shpejtësia me të cilin udhëtonte autobusi. Një ditë pasi ekspertët zbardhën motivet e tragjedisë së rëndë të ndodhur më 21 Maj në Qafën e Vishës, rreth 20 km nga Himara ku u vërtetua se shkaku kryesor ishin frenat e autobusit që kishin rezultuar me defekt Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë ku bëhen me dije edhe shkaqet kryesore që kanë çuar në aksidentin e rëndë. Pas më pak se 24 orësh nga ekspertiza e tragjedisë e cilësuar nga ekspertët rrugorë si më e komplikuara në historinë e aksidenteve të ndodhura në Shqipëri, policia e shtetit nuk ka nguruar por ka shpejtuar të mbulojë çdo hamendësim apo dyshim të opinionit publik duke ndryshuar tërësisht thelbin e motivet përse ndodhi kjo ngjarje e rëndë. Përpos të tjerave me një ironi therësi deklarata e pazakontë e Policisë së Shtetit ka fajësuar shoferin e autobusit se ai ka qenë me shpejtësi e për këtë shkak ka ndodhur edhe aksidenti me 13 të vdekur ku 11 prej tyre fatkeqësisht ishin vajza, studente të Universitetit Aleksandër Xhuvani. Dhe çudia më e madhe është se sipas të dhënave shoferi i ndjerë Pëllumb Çela e ka shtuar shpejtësinë e autobusit duke e çuar atë në 40 km në orë, dhe ndërkaq kjo shpejtësi ka çuar dhe në përplasjen fatale të autobusit në anësoret e shkëmbit veprim i cili ka çuar në mos komandimin e autobusit që më pas ka rënë në humnerë.
Deklarata
Sipas deklaratës zyrtare në konferencën për shtyp zëdhënësja e policisë së Shtetit ka deklaruar se :”Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mos rregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë shtoi ajo. Ndërsa në deklaratë nuk është lënë mënjanë edhe fakti më i rëndësishëm për policinë e Shtetit se rruga në të cilën ndodhi aksidenti është brenda parametrave të kërkuara dhe e pajisur me sinjalistikën e nevojshme. Segmenti rrugor ku ka ndodhur aksidenti është një rrugë e rregullt me të gjithë parametrat, i pajisur me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, si dhe me parmakët metalik anësor mbrojtës.
Policia: Aksidenti ndodhi se shoferi shtoi shpejtësinë
Në deklaratën për mediat Policia e Shtetit ka deklaruar se në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrtësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta theksoi ajo. Sipas policisë, nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, nga ku rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit. Gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës. Nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e aksidentit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm.
Arvizu homazhe dhe ngushëllime për familjet e viktimave
Elbasan/Ambasadori amerikan në vendin tonë Aleksandër Arvizu ka zhvilluar dje homazhe në hollin e Universitetit Aleksandër Xhuvani për 11 studentet që humbën jetën pasditen e të hënës në Himarë. Pasi ka vendosur 11 kurora me lule tek çdo studente si dhe ka lënë mesazhin e tij në libri i homazheve, ambasadori Arvizu tha për mediat se nuk flas vetëm në emër të stafit të ambasadës, por në emër të të gjithë amerikanëve, se jemi shumë të trishtuar që njerëz të rinj kaq të bukur humbën jetën në një aksident kaq tragjik. Dhimbja është kaq e madhe sa është e pamundur të përshkruhet. Lutemi për shpirtrat e tyre dhe ngushëllim për familjet e tyre”. “Më ka bërë shumë përshtypje se si i gjithë vendi është ndjerë keq për këtë aksident të tmerrshëm. Ngushëllimet e mia më të përzemërta, përfundoi ambasadori amerikan.