E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpia e transplanteve në Gurrë, komuna deklaratë kundër akuzave

Kryekomunari Celami me banorët e fshatit Gurrë

BURREL Mëngjesin e djeshëm, 15 anëtarët e familjes Katuçi nisën grevën e urisë, në kërkim të të drejtave të tyre, për të kundërshtuar akuzat e pabaza të raportit të Dick Marty-t për transplant organesh njerëzore në shtëpinë e verdhë. Shumë shpejt, lajmin e ka mësuar kryetari i komunës Gurrë, Mustafa Celami, i cili negocioi me ta, duke i bindur për të mos vijuar grevën e urisë. Ai ka kontaktuar me 81-vjeçarin Abdulla Katuçi dhe djalin e madh të kësaj familjeje, Mersim Katuçi dhe u ka shprehur se ka përgatitur një deklaratë proteste drejtuar Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, Gjykatës së Hagës, si dhe Kuvendit të Shqipërisë. Familja Katuçi bën pjesë në ato familje të persekutuara që i kanë mbijetuar me dinjitet një sistemi totalitar, ndaj dhe përpjekja për ta njollosur atë nga ky njeri është përpjekja për të njollosur çdo familje shqiptare në përgjithësi dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në veçanti. Celami dhe të zgjedhurit e tjerë vendorë në komunën e Gurrës në rrethin e Matit u kërkojnë autoriteteve të Këshillit të Europës të mos sugjestionohen nga Dick Marty dhe platforma e tij për njollosjen e familjes shqiptare Katuçi. Celami shprehet i sigurt se hetimet që Kuvendi i Shqipërisë ka lejuar të bëhen në familjen Katuçi do të rezultojnë si flluskë sapuni. Ashtu si deklaruan ditë më parë, pjesëtarët e familjes Katuçi edhe kryetari i komunës Gurrë, Mustafa Celami, tha se: Kjo familje ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim moral dhe për këtë, sipas tij, ata do ti drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, Holandë, e cila është vënë në lëvizje falë këtyre akuzave të pabazuara në fakte.                  h.p

Titulli
Kryetari i kësaj njësie vendore deklaron se ka vendosur ta vlerësojë këtë familje me titull nderi. Unë si kryetar komune do ti propozoj këshillit të komunës Gurrë shpalljen e familjes Katuçi Nderi i Komunës me motivacionin: Familja që i mbijetoi me dinjitet shpifjeve monstruoze të Dick Marty-t për vite me radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›