E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajti tallet me drejtësinë, Krimet e rënda ankesë Ministrisë

Duket si një kalvar i pafund gjyqi ndaj shumë të përfolurit Dritan Dajtit i cili edhe pse ndodhet brenda qelisë së burgut sfidon drejtësinë shqiptare madje në shumë raste ka mundur edhe të tallet me të. Seanca gjyqësore për katër të akuzuarit që vranë në verën e 2009-ës katër policë në plazhin e Durrësit në afërsi të pistës Iliria duket se nuk do të përfundojë kurrë pasi vonesat e avokatëve janë shkaku kryesor i shtyrjes dhe vonesave të paprecedente. Në lidhje me këto vonesa ka reaguar ditën e djeshme edhe Gjykata e Krimeve të Rënda përmes një deklarate për shtyp. Krimet e Rënda i janë drejtuar strukturave më të larta të drejtësisë, për të zhbllokuar procesin ndaj Dritan Dajtit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar për vrasjen e katër agjentëve të policisë.
Deklarata për shtyp
Sërish për të trembëdhjetën herë radhazi, gjykimi ndaj këtyre të pandehurve është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të zgjedhur nga të pandehurit dhe të caktuar kryesisht nga gjykata, theksohet në deklaratën e gjykatës. Sipas saj, procesi ndaj këtyre të pandehurve ka filluar më datën 11.12.2009 dhe megjithë përpjekjet e gjykatës për të  zhvilluar dhe përfunduar gjyqin në një kohë të arsyeshme, nuk ka qenë e mundur për shkak të mungesave të qëllimshme të avokatëve mbrojtës. Në deklaratën e saj, gjykata thekson se, për të disatën herë ka njoftuar dhomën kombëtare të avokatisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe instanca të tjera të larta për të marrë masat ndaj avokateve që sabotojnë procesin gjyqësor.
Precedentët
Mungesa e avokatëve mbrojtës, në mënyrë të herë pas hershme është një sfidë për gjykimin e çështjeve të tilla, me pasojë vrasjen e katër punonjësve të policisë, çka përben cënim të integritetit të Gjykatës, theksohet në këtë deklaratë. Për këtë arsye, Gjykata e Krimeve të Rënda reagon dhe një herë me forcë për zhbllokimin e kësaj situate, duke kërkuar që Dhoma e Avokatisë Tiranë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë të marrin masa dhe të shqyrtojnë ankesat e Gjykatës për sjelljet e avokatëve duke filluar procedurat disiplinore për avokatët e këtij procesi që veprojnë në  kundërshtim me dispozitat ligjore. Ngjarja e vrasjes së katër agjentëve të policisë bëri aso kohe shumë bujë ndërsa u arrestuan menjëherë Dritan Dajti bashkë me tre persona të tjerë që mendohet se u përplasën për disa orë me policinë ndërsa më pas katër agjentët e policisë mbetën të vdekur e bashkë me ta edhe një prej shokëve të Dajtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›