REPUBLIKA E PADREJTESISE
Brenda këtij viti, Gjykata e Lartë e Republikës, në emër të Republikës ka vendosur të mos gjykojë asnjërën prej akuzave të ngritura ndaj dy ministrave të qeverisë. Mosgjykimi i këtyre akuzave nuk është thjesht çështje e moralit politik të politikanëve të veçantë, por në radhë të parë çështje e ekzistencës dhe e funksionimit të vetë Republikës dhe të shtetit të së drejtës. Është tashmë e qartë se, me këto dy raste, Gjykata e Lartë, e bashkë me ta edhe drejtësia, janë jashtë funksionit.
Është me vend të sqarojmë fillimisht se Gjykata e Lartë ka shkelur hapur Kushtetutën e vendit. Neni 141 i Kushtetutës e "urdhëron" këtë gjykatë të gjykojë akuzat penale që ngrihen ndaj ministrave, dhe jo të refuzojë gjykimin e tyre, siç ka bërë në çështjen "Basha" dhe në atë "Mediu". Gjykata e Lartë e ka shkelur Kushtetutën, sepse ajo nuk i gjykoi këto çështje. Kjo gjykatë preferoi më mirë të kapej pas karremave dhe sajesave të paqena juridike, sesa t‘i gjykonte këto akuza, sipas Kushtetutës. Gjykata e një shteti ligjor dhe demokratik nuk ka të drejtë të refuzojë gjykimin e asnjë akuze për asnjë arsye. Përkundrazi, ajo duhet të gjykojë akuzën dhe të vendosë për pafajësinë ose fajësinë e të akuzuarit. Këtë gjë, Gjykata e Lartë nuk e bëri në asnjërin rast, por i la këto çështje në rrjedhje të lirë deri në degjenerim total.
Në rastin e dosjes "Gërdeci", artifici "imunitet parlamentar" ishte më shumë një justifikim për "të larë duart" nga kjo çështje, sesa ushtrimi i një përgjegjësie kushtetuese, që Gjykata e Lartë ka në gjykimin e akuzave penale ndaj ministrave. Zoti Mediu ishte pa imunitet parlamentar deri në përfundim të gjykimit, sepse imuniteti hiqet vetëm për çështje konkrete. Fakti që deputeti rizgjidhet në një mandat të ri, do të thotë që ai gëzon një imunitet të ri ndaj ndjekjes penale për çdo krim tjetër për të cilin mund të akuzohet, e jo për atë që është akuzuar njëherë. Kjo do të thotë se akuzat që janë ngritur para zgjedhjes si deputet, vazhdojnë të gjykohen, sepse zoti Mediu ishte pa imunitet. Edhe sikur të marrim logjikën (pas të cilës fshihet Gjykata e Lartë), që imuniteti e pengon atë në gjykimin e çështjes, pyetja që shtrohet është: Përse pushohet çështja dhe nuk i jepet mundësia prokurorisë të rikërkojë heqjen e imunitetit?
Kjo sjellje e Gjykatës së Lartë tregon qartë se ajo ka frikë të gjykojë çështje të tilla. Ajo nuk do ta prishë me asnjë pushtet politik, por është e gatshme t‘i shërbejë atij pa kushte. Kjo gjë u vërtetua që në rastin e akuzave të ngritura ndaj Lulzim Bashës.
Me refuzimin për të gjykuar dy akuza penale për abuzim me detyrën ndaj dy ministrave, Gjykata e Lartë ka "legjitimuar" parimin e pabarazisë para ligjit. Me këto dy raste, askush sot nuk mund të mendojë se do të trajtohet njësoj para ligjit. Po të mendosh se sot shteti, me vendime të vetë Gjykatës së Lartë, mban në burg ose në ndjekje penale njerëz që kanë bërë shumë më pak se zotërinjtë ministra, ndërkohë që këta të fundit janë të "pagjykueshëm", është e qartë se pabarazia para ligjit është ulur këmbëkryq në republikën tonë. Të gjithë e mendojmë pabarazinë, madje edhe e shohim atë çdo ditë, por gjykatës nuk i lejohet që ta provojë, e aq më pak ta legalizojë këtë gjë. Rasti i sjelljes së Gjykatës sonë të Lartë na tregon se po jetojmë në Republikën e Abuzimit dhe jo në Republikën e së Drejtës. Ndoshta duhet ta "falënderojmë" vërtet Gjykatën e Lartë që, me një "sinqeritet" të tepruar po na e tregon se në ç‘shtet po jetojmë.
Rënia kaq poshtë e Gjykatës së Lartë të shtetit na tregon edhe një herë se çfarë drejtësie u garanton shteti qytetarëve të tij. Sistemi i drejtësisë dhe vetë drejtësia është thjesht një fiksion juridik, që mund ta lexosh në ligje apo në libra juridikë, por nuk e gjen dot në realitet. I gjithë sistemi ynë gjyqësor funksionon vetëm mbi bazë favori politik dhe ryshfeti, tarifat e të cilit janë rritur me krizën ekonomike. Ligji është një instrument që përdoret për t‘i kërkuar hesap çdo qytetari të ndershëm, dhe për të mbrojtur "të drejtat" e çdo pushtetari e çdokujt tjetër që paguan për ta blerë drejtësinë. Banorët e Republikës së Shqipërisë, në emër të së cilës vendos edhe Gjykata e Lartë, ende nuk e dinë se çfarë janë ministrat Mediu e Basha: fajtorë apo të pafajshëm?
Nuk besoj se ka njeri sot të besojë se gjykatat tona janë të pavarura nga pushteti politik. Gjykatësi nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveçse t‘i shërbejë pushtetit, sepse duke i shërbyer atij (pushtetit), i jep vetes "imunitet" për të bërë para. Në sajë të këtij mekanizmi pisllëku, sot kemi gjykatës të pasur e me vila, ndërkohë që rroga nuk e justifikon një luks të tillë. Të gjithë e shohin këtë panoramë, por nuk kanë ç‘të bëjnë. Edhe politika e di këtë, por nuk i intereson të reagojë, sepse i duhet gjykata dhe gjykatësit për ditë të vështira, si puna e këtyre që kaluan dy ministrat.
Mirëpo, marifeti i shërbimit ndaj politikës është bastarduar, sepse gjykata (në këtë rast, Gjykata e Lartë) ka fituar pavarësi edhe nga vetë ligji. Në këtë rast, nuk humbet thjesht e drejta, por padrejtësia bëhet e papërmbajtshme. Pas këtyre vendimeve, Gjykata e Lartë bëhet vërtet "e papërmbajtshme" në të gjitha kuptimet e fjalës, sepse edhe nëse ndokush do të tentojë të reformojë diçka, gjykatësit kanë mësuar të tregojnë atë pjesë të Kushtetutës që i mbron. Kështu, problemi bëhet shumë i vështirë për t‘u zgjidhur.
Nuk ka asnjë dyshim që politika është përgjegjësja kryesore e kësaj situate. Modeli i ngritjes në piedestal të shkelësit të ligjit dhe i zyrtarit abuzues që nuk ndëshkohet, është modeli që kanë legalizuar gjykatat tona me në krye tashmë Gjykatën e Lartë. Ky model po zbatohet tashmë jo thjesht nga politika, por nga vetë Republika. Është me vend që, Presidenti i Republikës të vihet në krye të një përpjekjeje jo thjesht politike, por publike, për të shpëtuar Republikën. Është koha kur sistemi gjyqësor të tronditet seriozisht dhe të futet në shtratin e shërbimit pa kushte, jo ndaj pushtetit, por ndaj publikut. Ky i fundit duhet të ketë mundësinë që, nëpërmjet një referendumi, të shprehet për një sistem më të mirë drejtësie, sesa ky që ka legjitimuar Republikën e Padrejtësisë.