BE: Shqipëria në pozitë më të mirë
Shqipëria ndodhet në një pozitë më të mirë. Me këto fjalë ka preferuar ta komentojë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild. Siç raporton "Alsat", Bashkimi Europian vlerëson se vendi ndodhet në një pozitë më të mirë në rrugën drejt integrimit në organizmat europianë, por edhe se vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duhen lexuar deri në fund. Deklarata ka ardhur nga ministri i Jashtëm i vendit që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Suedisë. "Unë e mbështes Karlin, pas leximit të shpejtë që i bëra raportit, por duhet ta lexoj dhe ta analizoj më mirë", mbështeti edhe komisioneri europian për zgjerimin, Olli Rehn, deklarimet e kryediplomatit suedez. Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe mbarëvajtja e tyre ishin një kusht i rëndësishëm i vendosur nga Brukseli për Shqipërinë. Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë patën deklaruar para qershorit se fati i aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian do të varej nga standardet e zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë u mbështet edhe qëndrimi për procesin e liberalizimit të regjimit të vizave mes komunitetit europian dhe Shqipërisë. Sakaq, në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e qershorit thuhej se "zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm në lidhje me regjistrimet e votuesve dhe procesin e identifikimit". Kuadri ligjor, që parashikonte mënyrën e votimit, numërimit dhe shqyrtimit të kontestimeve u miratua në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore. ODIHR-i konstatonte se këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshi numërimin e votave, proces që u bllokua në disa zona. Këto aspekte vlerësohet se kanë minuar besimin e publikut mbi procesin zgjedhor në vend. Teksa u arrit pjesa kryesore e standardeve të OSBE-së, këto zgjedhje nuk e përmbushën potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet e larta të një procesi demokratik. Zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet kryesisht nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin dhe kryerja e detyrave me përgjegjshmëri, duke ruajtur integritetin e procesit zgjedhor. Duke iu referuar kornizës ligjore konstatohet se ajo krijon kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, vijon raporti, një numër dispozitash duhet të rishikohen me qëllim sjelljen e kuadrit ligjor në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së. ODIHR-i thotë se pavarësisht ndonjë momenti, KQZ-ja u përgatit për administrimin e procesit në mënyrë profesionale dhe mori hapa për të rritur transparencën. Megjithatë, vihet re ndarja politike në shumicë dhe pakicë sa u takon çështjeve më të debatuara. Zëvendësimi i komisionerëve në momentet e fundit konsiderohet si një tjetër problem për procesin. "Veprime të tilla krijojnë paqartësi për dallimin midis shtetit dhe partisë në kundërshtim me standardet", thotë raporti.