REUTERS: Norma bazë e interesit në Shqipëri, në nivel historik
Banka Qendrore e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë, në nivelin rekord 4 përqind, në përpjekje për të nxitur rritjen ekomomike, që ka ngecur në vendin ballkanik.
Vendi me 2.8 milion banorë po ndjen efektet e krizës në Greqinë dhe Italinë fqinje, dy partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, por edhe vendet ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë.
Ulja me 0.25 përqind është e pesta që prej shtatorit.
Vendimi vjen pasi Produkti i Brendshëm Bruto u tkurr me 0.2 përqind në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë, ndërsa rënien më të madhe e pati industria dhe ndërtimi.
Inflacioni qëndroi në nivelin 2.2 përqind, një ulje me 0.8 përqind në krahasim me një muaj më parë.
Lehtësimi i politikës monetare do të ndihmojë të përmbushim objektivin tonë për inflacionin në terma afatmesëm, tha Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani.
Ky lehtësim do të stimulojë ekonominë në vend, duke rritur stimulin bankar për të mbështetur kërkesën e brendshme, tha ai pas një takimi të bordit të Bankës Qendrore.
Sipas buxhetit të vitit 2012, qeveria po kërkon një rritje të PBB në nivelin 4.3 përqind këtë vit, krahasuar me parashikimin prej 0.5 përqind të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ngadalësimi ekonomik global dhe sidomos kriza e borxheve në Itali dhe Greqi kanë përgjysmuar rritjen ekonomike në Shqipëri vitet e fundit në nivelet 3 përqind.
Remitancat e një force punëtore prej 1 milion emigrantësh- shumë prej të cilëve pa punë në Greqi dhe Itali- kanë rënë, duke ulur ndjeshëm konsumin në vend.
Fullani parashikon një performancë të avashtë të ekonomisë shqiptare gjatë pjesës së mbetur të vitit, por shton: Banka Qendrore mendon se pavarësisht situatës ciklike të ekonomisë, perspektiva e mesme dhe afatgjatë e zhvillimit mbetet pozitive.