RËNDËSIA E MUZIKËS: Edhe një herë për festivalin...
RËNDËSIA E MUZIKËS: Edhe një herë për festivalin...
Me sa duket, pas diskutimeve të shumta në post-festivalin e fundvitit, na është rishpalosur plaga: festival-këngë, që rri e hapur prej vitesh. Ky institucion ka edhe ekskluzivitetin e "Eurosongut" dhe, për hir të së vërtetës, duhet të pohohet se kemi disa vite që po dështojmë. Nuk po e kalojmë klasën. Në thelb, problemet fillojnë me sa duket që tek skema e pranimit, e cila jo vetëm që nuk është profesionale, por që brenda saj ndërton edhe skema shterpë festivalesh.
Pa diskutuar këtu problemet me të cilat u ndesh ky eveniment gjatë tre ditëve të tij, si stonaturat tek shumë këngëtarë, madje edhe tek ata që konsiderohen sot në "top listë", por edhe tek fonia e niveli i arranxhimit e orkestrimit të këngëve, ku në shumicën e rasteve dëgjohej një zhurmë e kakofoni kitarash e baterie. Pa ia mohuar punën e mirë një pjese të stafit realizues, i cili bëri përpjekje për ta sjellë denjësisht nga ana figurative këtë eveniment, festivali i këtij viti nuk i shpëtoi serish strukturës shterpë që ka mbërthyer këngën tonë prej disa vitesh, edhe pse tashmë jemi shumë larg nga diktatura.
Natyrisht, për mua, bëri mirë kompozitori i njohur, Gjergj Leka, nga poltroni i rreshtit të parë ku theksoi mjerimin e vërtetë ku e kanë futur xhambazët këngën, e cila qarkullon në tregun shqiptar, krejtësisht mjerane nën intonacione e ndikime të huaja, e krejtësisht pa shije, deri në plagjiaturë. Ai bëri një thirrje për të mos e tradhtuar "këngën e lehtë", e cila gatuhet "jashtë komercionalizmit të mirëfilltë". Por edhe pse është ende herët për ta pohuar këtë të fundit, duhet theksuar fakti që lë ende për të dëshiruar. Pikë së pari, kjo lloj kënge vuan nga idetë që përçon, si dhe nga ana emocionale. Flas këtu për tekstet, si një element shumë i rëndësishëm brenda saj. Kjo, sepse në shumicën e tyre, që përqaset më shumë se tek treçereku, mungon fabula. Nuk ka një gjetje artistike në tekst, por thuhen fjalë të përgjithshme, që pretendojnë të të emocionojnë në lojën e tyre me fjalën dashuri dhe gjithë elementin e saj përbërës. Shumica e tekstexhinjve, janë kthyer në "mballomaxhi" që i gjen fjalë pentagramit muzikor. Dhe kjo fatkeqësisht është kthyer në një "risi", që nuk i shpëtoi edhe këtij festivali. Ndaj një moshë shumë e re i ka kthyer kurrizin, duke gjetur "relaksin" në rryma të tjera, që për hir të realitetit, duhet thënë se kanë kohë që nuk janë më në modë në botën muzikore botërore. Sepse, aty ka diçka më konkrete me botën e tyre, edhe pse mungon në shumicën e rasteve poezia. Ka fabul, por edhe gjetje që mbahen mend dhe, natyrisht, mbesin. Në shumë këngë të këtij festivali, gjeje fraza të përgjithshme që nuk thonin asgjë dhe që nuk të sjellin jo vetëm emocion, por edhe nuk të bëjnë që të mendosh. Kjo është një rrugë që ende nuk po merr dot një përgjigje, ndonëse në këngët e fqinjëve tanë, brenda tyre ka histori, ka jetë e botë. Ne vazhdojmë që të thurim këngë me fjalë "jetë e lumtur" apo " ah, ç'ma vrave zemrën" që të kujtojnë qarje, që përqasen me këngët e tregut nga këngëtarët e dasmave, të cilët në shumicën e rasteve kanë deficite në kulturën dhe formimin e tyre. Thjeshtë, Hazizer...
Mendoj se, ka ardhur koha për një revizion të plotë, jashtë grupazheve, brenda institucionit të këngës. Le të thirren specialistë të jashtëm, të bëjnë diferencat e vlerësimet, nëpërmjet një rregulli pa njohje e klasifikime në bazë të vlerave. Vetëm aty mund që të pretendohet jo vetëm fryma kombëtare, por edhe pasurimi me elementë të domosdoshëm bashkëkohorë të këngës, të cilën kërkojmë sot.
*Autori është gazetar, jeton në Francë