E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemia e gripit, mbyllen shkollat në janar

Sipas specialistëve të ISHP-së epidemia është shfaqur në të gjitha rajonet. Bejtja: Nëse do jetë kjo situatë, nuk ka shkollë
Gripi tashmë është kthyer në epidemi. Mijëra raste të prekurish nga gripi që raportohen çdo ditë nga i gjithë vendi, kanë detyruar specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të pranojnë se kemi të bëjmë me epidemi. Madje numri i të prekurve është më i lartë se një vit më parë. Situatën problematike të virozave të stinës e pranojnë edhe specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë pasi drejtori i Shëndetit Publik pranë këtij dikasteri, Gazment Bejtja thekson se nëse do të vazhdojë kjo situatë, shkollat nuk do të hapen në fillim të janarit.
Epidemia e gripit
Gripi apo virozat sezonale, siç i quajnë specialistët, po përhapen me ritme të shpejta në çdo zonë. "Vetëm në Tiranë raportohen rreth 1 mijë vizita në ditë për shkak të gripit, por numri i të prekurve është shumë herë më i lartë pasi njerëzit nuk paraqiten për vizitë tek mjeku por e kalojën atë në shtëpi",- pohon specialisti i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, duke shtuar se kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një situatë epidemike. Sipas tij, rastet më të shumta me grip janë raportuar në Tiranë, Lushnje, Kuçovë dhe Durrës. Ndërkohë Gazment Bejtja pohon se fenomeni gripal nuk është shfaqur vetëm në vendin tonë, pasi ai është një fenomen rajonal që ndeshet edhe në shtetet e tjera fqinje. "Situata është e pritshme pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë, kohë më parë, ka paralajmëruar shtimin e pritshëm të rasteve të gripit, tipet e viruseve dhe pasojat e mundshme që ato mund të kenë",- pohon ai.
Apeli
Ministria e Shëndetësisë apelon të gjithë qytetarët që e ndjejnë të nevojshme konsultën dhe vizitën mjekësore, për shkak të gripit, t'i drejtohen fillimisht mjekut të familjes dhe mjekut të përgjithshëm. Kështu u shpreh Gazment Bejtja duke shtuar se, në këtë mënyrë nuk do të krijohet konfuzion dhe alarm i rremë nëpër spitalet qendrore. "Kjo bëhet e nevojshme pasi rastet e kontaktuara të deritanishme janë me origjinë virale, çfarë do të thotë se nuk kanë nevojë për mjekim antibiotik",- pohon Bejtja duke shtuar se të gjithë të prekurit duhet të konsultohen me mjekun përpara se të vijojnë me përdorimin e medikamenteve të ndryshme, si dhe të vijojnë përdorimin e vaksinës antigrip.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›