Ekspertët: Vajza e torturuar dhe mbytur me shallin e saj
Vlorë, mjekët kanë saktësuar se vdekja e vajzës ka ardhur nga torturat dhe mbytja me shall. E vetmja pistë hetimore, celulari që vajza kishte fshehur në gjoks
VLORË- Vajza 21 vjeçare e gjendur e vrarë në bregdetin e Vlorës është rrahur barbarisht dhe më pas është mbytur me shallin që kishte në qafë. Pasi është torturuar për minuta të tëra, vajza që ishte edhe shtazën, është vrarë dhe hedhur në det për të humbur gjurmët. Por ajo ka lënë pas vetes një pistë që mund të ndihmojë hetuesit vlonjate për të gjetur autorin e vrasjes. Enkelejda Ismaili ka fshehur telefonin e saj celular në rexhipeta dhe ai nuk është gjetur dot nga vrasësi. Pikërisht tek ky telefon janë përqendruar të gjitha hetimet paraprake të policisë dhe prokurorisë së Vlorës.
Hetimet
Ndërsa është qartësuar saktësisht vrasja e vajzës së gjetur në bregdet një ditë më parë, si ekzekutim me mbytje, ka ende shumë pak të dhëna, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen tërësore të ngjarjes, si dhe zbulimin e autorit të saj. Provat e vetme që janë në duart e prokurorëve janë një portofol që kishte me vete vajza, si dhe aparati celular. Vendi ku ka qenë i fshehur ky i fundit ka shtuar pikëpyetjet për prokurorët. Siç bëhet me dije nga burime të grupit hetimor, celulari është gjetur brenda në rexhipeta dhe për vendosjen e tij aty, janë hedhur poshtë dyshimet se mund ta ketë fshehur vetë vrasësi. Pikërisht celulari pritet të japë më tepër të dhëna mbi telefonatat e fundit që ka kryer vajza. Në portofolin e saj janë gjetur vetëm disa foto, të cilat nuk kanë mundur dot të thonë tepër për autorësinë e krimit. Siç mësohet vajza ka qenë shtatzënë, çka ka shtuar më shumë versione për krimin. Nga ana e hetuesve vlonjate janë marrë në pyetje të afërm të vajzës, por edhe miq e të njohur të saj, por pa u zbardhur as atësia e fëmijës dhe as të dhëna mbi ngjarjen. Gjithsesi prokuroria e Vlorës ka ngritur versionin e skenës së vrasjes. Sipas shenjave të gjetura e aktit të ekspertimit, krimi mendohet të ketë ndodhur në orët e natës duke u gdhirë e martë. Vendi i zgjedhur, i cili fshihet nga rruga nga një pjesë e madhe betoni, ka mundur të ndihmojë autorët në fshehjen e krimit. Po kështu rruga automobilistike, e cila lidh zonën e plazhit gjendet disa metra lart vendit, ku ky i fundit është bregdet shkëmbor.
Ekspertimi
Pasi vajza 21 vjeçare Enkeleda Ismaili është gjetur e vdekur në zonën e Radhimës, në vendin e quajtur Jonufër në një zonë me bregdet mjaft shkëmbor, është transportuar në morgun e spitalit të qytetit për të kryer ekspertimet e nevojshme në të tilla raste. Ekspertët të policisë kriminale si dhe të mjekësisë ligjorekanë vënë re se në trupin e vajzës si dhe në qafë ka pasur shenja dhune, çka ekspertimi ka vijuar më pas me shumë kujdes, madje duke punuar deri në orët e mesnatës ku kanë kryer ekspertizat me shumë kujdes të trupit të vajzës si nga ana e jashtme ashtu dhe nga ana e brendshme. Ekspertët kanë konfirmuar se në trupin e vajzës është përdorur dhune me mjete të forta si dhe është mbytur me shallin që ka pasurvënë në qafë, i cili ka lënë shenjën. Pasi është kryer autopsia, është konstatuar se në barkun e 21 vjeçares ka qenë një fëmijë i seksit mashkull, duke vërtetuar shtatzëninë e saj. Në bazë të verifikimeve fëmija ka qenë rreth 6 muajsh. Ekspertët kanë përcaktuar edhe shkakun e vdekjes, i cili është dhuna fizike dhe mbytja me shallin që mbante në qafë. Kjo është saktësuar nga fakti se mushkëritë e saj kanë qenë të mbushura me gjak. Sipas ekspertëve, vajza nuk ka pasur thyerje të gjymtyrëve, por disa shenja në trup dhe në qafë , që do të thotë persona të pa identifikuar kanë ushtruar dhunë mbi vajzën e më pas e kanë mbytur. Ekspertët kanë marrë gjurmët e mundshme në trup të viktimës të personave që kanë ushtruar dhunë ndaj saj, disa prova të tjera, kanë marrë gjak dhe pjesë nga trupi dhe organet e fëmijës për të kryer analizat si dhe ADN-në e fëmijës.
AUTORËT
Policia: Asnjë i dyshuar për vrasjen
VLORË- Sipas të afërmve të 21 vjeçares, ajo është larguar nga shtëpia prag mbrëmjen e datës 24,12,2007, duke mos dhënë ndonjë shpjegim te familjarët, por thjesht se do të dilte. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, në ambientet e komisariatit janë shoqëruar disa persona për tu pyetur nga ekspertë të krimeve në lidhje me ngjarjen si dhe të tjerë persona mund të shoqërohen nga policia për të bërë të mundur kapjen sa me të shpejtë të autorit të ngjarjes tepër makabre të vrasjes e më pas mbytjes së Enkelejdës së bashku me fëmijën që gjendej brenda trupit të saj. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar konkret për ngjarjen.