E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, ngrohja me qymyr, vdes roja i manastirit

Ilmi Hoxha është gjetur mëngjesin e djeshëm i vdekur përpara mangallit me prush që e kishte ngrohur gjatë natës
KORÇË- Ngrohja me prush në Korçë regjistron viktimën e dytë, ndërsa policia e juglindjes jep alarmin për këtë lloj ngrohje tashmë të kthyer në mjaft të rrezikshme. Një 52 vjeçar ka mbetur peng i një mangalli dhe i dioksidit të karbonit që ka çliruar mënyra e ngrohjes që ai kishte zgjedhur. Ky është rasti i dytë i vdekjes së ngjashme brenda harkut kohor të një jave në rrethin e Korçës. Fillimisht ka qenë një 18 vjeçar, familjarët e të cilit kanë dyshuar se ai është vrarë, ndërsa ekspertiza ligjore ka provuar të kundërtën. Ndërkohë që rasti i dytë vjen përsëri për një roje por këtë herë shumë herë më i madh në moshë se i riu. Ngjarja e radhës është regjistruar në fshatin Çiflig të Korçës, në një nga manastiret që është duke ndërtuara kisha ortodokse. Ilmi Hoxha, 52 vjeç banor i fshatit Barç po në këtë rreth, ishte punësuar si roje në këtë manastir për të ruajtur bazën materiale por dhe gjithçka tjetër të kushtueshme brenga mureve të tij. Burri që vëzhgonte gjatë orëve të natës është gjetur gjatë mesditës të së enjtes i vdekur, ndërsa kanë qenë disa punëtorë të manastirit që kanë zbuluar dhe kufomën. Familjarët e shqetësuar nga njëra anë, por dhe mbetja mbyllur e derës së manastirit ka detyruar punëtorët e tij ta hapin atë me forcë. Pamja që kanë gjetur brenda ka qenë e tmerrshme, teksa roja Ilmi Hoxha është gjetur i vdekur. Sipas mjekëve ligjorë dioksidi i karbonit, i çliruar nga prushi që kishte zgjedhur burri për tu ngrohur nga i ftohti i natës e ka lënë atë përjetësisht në gjumë. Megjithëse kanë nisur hetimet për ngjarjen në fjalë vdekja edhe në këtë rast është cilësuar aksidentale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›