Festat, të zëna rob
Barka ku rrinin ulur dy Festat; Plaku i Krishtlindjeve, që i jepte dhe lopatave me sforcio e duke rënkuar, për shkak edhe të moshës së vjetër, dhe Viti i Ri, i vogël sa një kërthi, tundej sa majtas djathtas gjithë vrull nga dallgët e errëta dhe goxha të mëdha të fundvitit. Ishte e vështirë të matje "ballën" e tyre, për më tepër se nuk kishin as aparatura për ta matur në atë barkë të vjetër e të dalëboje. Le që kujt i shkonte mendja tek nevoja për sofistikimet e mjeteve lundruese! Ata kishin hall tjetër më të madh: Befasinë e piratëve. Ca copa dallgësh e stërkalash të ftohta akull, hera herës lagnin teshat dhe fytyrat e të dyve. Viti i Ri, ishte strukur gjithë frikë e duke u dridhur nga të ftohtit nën sqetullën e Plakut të Krishtlindjeve. Ky i fundit, përpiqej t'i jepte kurajo sadopak, dhe i thosh' fjalë për t'i shtuar besimin, por që në fakt, dhe vetë s'u besonte. Pikë gëzimi dhe entuziazmi nuk shprehnin fytyrat e të dyve. Ishin të trishtuar dhe gjithë ankth e frikë, jo vetëm prej dallgëve e detit, por se mos u dilte përsëri para, si çdo fundviti tjetër, ajo anija e tmerrshme e piratëve. Sa herë kishin kaluar këtij deti, s'u kishin shpëtuar dot. Mjerë ata ç'kishin hequr! Po prapë, i kishin lënë të gjallë, se mund të ndodhte dhe ndryshe. Kishin bërë goxha rrugë, e i qenë afruar brigjeve goxha, kur ja...! Kur s'do, s'do, dreqi ta hajë! Anijes së piratëve, ia panë siluetën e errët që nga larg dhe ngrinë si statuja. Po vinte ballë përballë drejt tyre. Nga t'ia mbanin tani! Tmerri i pushtoi tërësisht. Nga anija e piratëve gjëmuan njëri pas tjetrit nja tre topa si paralajmërim për fatalitetin që i priste. "S'kini nga të shkoni", dukej sikur thoshin shpërthimet e tyre që e bënë natën ditë për disa sekonda, vetëm disa metra rreth e rrotull barkës së tyre. Një cifël predhe shkëputi një goxha copë druri nga njëra anë e saj, por qenë me fat se nuk ishte e pjesës së futur në ujë. Plaku i Krishtlindjeve, s'kishte më gojë t'i fliste më Vitit të Ri. I vogli, nga ana tjetër, kish' shpërthyer në dënesë me një zë të shurdhët, ndërsa një ganxhë e kishte kapur barkën e vjetër, e po i tërhiqte anash. Ngritën kokën, dhe anija e piratëve iu qëndronte hijerëndë, e frikshme, misterioze, e stërmadhe, fare afër. Me germa ngjyrë ari, shkruar madhërishëm: "PAFAJËSIA". Pas disa minutave ishin këmbë e duar të lidhur në kuvertë, duke u dridhur, mes britmave, ulërimave, të qeshurave të zgërdhirta të një morie piratësh nga më të çuditshmit dhe këngëve më të bukura e të zgjedhura të Krishtlindjeve, që buçisnin nga dy bokse të mëdha fiksuar në direk. Atë moment qe: "Jingle bell, jingle bell...". Këta lloj piratësh të anijes "PAFAJËSIA", nuk qenë fare të ngjashëm me paraardhësit e tyre, as në veshje as në "ngjeshje", nga armët d.m.th. Nuk qenë të palarë, të parruar, me nga një apo tre dhëmbë krrupëndjellës gjithsej. Aspak! Qenë të rruar e të kruar si jo më mirë, e të lyer me parfumet më të fundit. Të gjithë ishin të veshur me kostume "firmato" e kollare që të linin pa mend me bukurinë e tyre. Jo si ata të dikurshmit, me rroba zhele-zhele dhe nuk pinin rum nga ai i dorës së fundit, si lëng ndryshku, dehja e të cilit të del pas një jave. Në duar mbanin gota xhini, shampanje, birre, vere nga më e shtrenjta. Por jo rum. Të përbashkët me të gjithë llojet e piratëve klasikë kishin vetëm ato kapelat e zeza, që çuditërisht ngjanin disi dhe me atë të Napoleon Bonapartit për nga forma. Secili pirat kish' të qëndisur nga një nofkë, apo emër në kapele, sipas natyrës që kishte personi që e mbante mbi kokë. Qenë "Antibakshishi", "Sinqeriteti", "Mirësia", "Mos vidh e mos rrip", "E vërteta", "Luftë krimit", "Besa", e shumë të tjerë. Ku numëroheshin të gjithë.
Dy piratët, "Antibakshishi" dhe "Mos vidh e mos rrip", qenë të parët që iu bënë kontroll të imtësishëm nëpër të gjitha llojet e xhepave dhe nëpër thasët që kishin marrë me vete dy të mjerët e kapur rob. S'u lanë as vendet intime më të thella pa ia u kontrolluar mirë e mirë. Ia morën gjithçka patën me vlerë. Plakun e Krishtlindjeve dhe vogëlushin e Vitit të Ri, i futën ashtu siç i kishin lidhur, në një dhomë të madhe ku flitej se do bëhej zijafeti, apo gostia, si i thonë ndryshe. Desh i tërhoqi zvarrë pirati, me nofkën "Luftë krimit". Të gjitha rraqet që patën nëpër thasë, dhuratat, lodrat, xhingla-minglat shumëngjyrëshe festive, i varën pa i pyetur fare të zotët, nëpër litarët, direkët, velat. Llamburiste anija. Disa piratë si më lozonjarë se të tjerët, filluan të ndiznin fishekzjarrët njëri pas tjetrit duke e mbushur qiellin me drita shumëngjyrëshe. Sa bukur qe! Festë e madhe. Plakun dhe Vitin e Ri i ulën në një qoshe të dhomës, gati duke i shtyrë. Piratët po uleshin një e nga një rreth tryezës së madhe të gostisë duke bërë batuta të hatashme me njëri-tjetrin, e me të qeshura që të çirrnin veshët, dhe duke trokitur gotat: "Për shumë vjet gëzuar! Gëzuar festat! Gëzuar Krishtlindjet! Gëzuar Vitin e Ri!". Në krye u ul njëri që dukej si më kryeneçi, më i forti, e më i egri. Mbishkrimi s'i dukej në kapele, e s'dihej i ç'nofkë qe, se e kish përthyer më dysh dhe e kishte futur brenda rripit të pantallonave. Po nuk pati shumë kohë të rrinte aty se ja ku erdhi një tjetër, bullafiq dhe i shkurtër, më shumë i gjerë se i gjatë, që i dha një të shtyre me trup. Kryeneçi s'foli, por i liroi vendin qetësisht. "Hajde shpejt, shtroni tryezën, duam të hamë, të pimë!", bërtiti me sa fuqi pati bullafiqi. Thirrjet e piratëve në një kor me "Eeee, Eeee!", mbështetën urdhrin e bullafiqit. Kryekuzhinieri i moshuar, zgjati kokën i ndrojtur tek dera e kuzhinës. Ishte Viti i Vjetër. "Ja, tani zotërinj, çdo gjë gati!"-tha me gjysëm zëri. Pastaj pa me bisht të syrit me dhimbje dhe qortim të voglin Vit të Ri. "Ç't'u desh që u nise...!", dukej sikur i thosh' me vështrim. E ahengu dhe gostia kishte filluar. Kokulura dhe duke ecur me turp, shërbenin disa vajza fare të reja, ku kishin ca shirita që shkruanin "Liria", "Demokracia", "Ekonomia e Tregut" dhe nja dy djem të rinj, që mbanin në xhaketë varur: "Pluralizmi" dhe "Integrimi". Këto vajza dhe djem që shërbenin si kamerierë në rresht pas shpinave të piratëve, shihnin me vëmendje duke i bërë "sytë katër" se mos i mungonte asnjë gjë tryezës. Përndryshe i pinte e zeza! I fusnin nëpër bodrume dhe... ato dhe ata e dinin ç'hiqnin! E kishin provuar ca herë.."Hej! Ju që shërbeni, hidhuni ndonjë gjë dhe atyre që rrinë në qoshe, atij plakut mjekërbardhë dhe atij të voglit!",- iu drejtua me zë të ngjirur një pirat i zeshkët që kishte të shkruar në kapele nofkën "E vërteta". Të tjerët qeshën me të madhe, ashtu kot, se s'kish' as ndonjë sebep për të qeshur aq shumë.. E, s'kishin të sosur mishrat e pijet. U dendën...Kaluan shumë orë dhe gostisë i kishte ardhur fundi. Gota dhe pjata të zbrazura dhe të derdhura. Piratët i kishte zënë gjumi dhe gërhimat e tyre dridhnin ajrin e ndotur të dhomës. Shërbyesit dhe ata flinin të lodhur, por në bodrum. Gjumi kish' zënë dhe Plakun me Vitin e vogël. Ky buzëqeshte ndonjëherë në gjumë, mbase shihte ëndërr sikur këtë herë ia kishin hedhur piratëve, pa u kapur dot nga këta dhe kishin mbërritur për në vendin ku qenë nisur. Por realiteti qe krejt ndryshe!