E Diel, 1 Nëntor 2026

Nexhmija përballë faktesh të reja

“E kam peng që s’ditëm të mbrojmë fitoret e komunizmit!” = Kur s’vepruam
si Çaushesku! Por mund të përfundonin si ai dhe si Jelena, amà!

Miladini dhe Enveri projektuan luftën civile, brenda Luftës së madhe
Askush prej demokratëve të vërtetë nuk e ka besuar Nexhmije Hoxhën në zellin e saj për të nxjerrë një diktator shqiptar me ndjenja „humanizmi“(!), siç shkruan ajo në librin e saj „Jeta ime me Enverin“. Ky libër nuk mund të quhet, madje, as vepër kujtimesh, për shkak të shmangies së autores, hap pas hapi, nga e vërteta. Mashtrimet e njëpasnjëshme janë aq djallëzore, aq të përkundërta me të vërtetën, sa edhe fjala “autore” na duket e pavend. Domethënia e saktë e kësaj fjalë mund të zëvendësohet saktësisht me një skriptomane propagandiste e cila, duke u orvatur të shpëlajë trurin e lexuesve në kohën e saj, ka arritur që të indoktrinojë vetveten! Nonsenset e saj janë të tilla dhe aq të rënda, sa të bëhet të besosh se ajo asgjë s’ka kuptuar deri sot, qysh nga koha kur iu rrëzua nga koka kurora e perandoreshës së kuqe. Së këtejmi rrjedh ajo kryeneçësia që të mos kërkojë as falje për krimet e përbindshme që ka pasë bërë bashkëshorti i saj, për groteskun e bunkerizimit politik dhe ushtarak, për mjerimin e tallonave që u reklamua si bollëk, si edhe për tradhtinë kombëtare të të shoqit i cili, si vasal i emisarëve të Titos, – e së bashku me ta, - projektoi luftën civile brenda Luftës së madhe, si armik i egër e i paskrupullt i pluralizmit.
E.H. i shfarosi miqtë e vet të rinisë, qofshin ata edhe persona që e kanë ndihmuar në kohët më të vështira ekonomike, si jashtë atdheut, ashtu edhe brenda tij.
Intervistat e Nexhmijes ngjallën kundërvënie të menjëhershme për mënyrat e saj të cekëta, shpërfillëse, megalomane, madje edhe cinike. Haki Tahën, (të cilit nuk i dinte as emrin), e quajti agjent të UDB-së, vetëm se ai pati vetëmohimin atdhetar të vriste keqbërësin e popullit shqiptar, Miladin Popoviçin, mu në zyrë dhe të vetëflijohet nga udbashët e tij që e ruanin këtë antishqiptar! (Haki Tahën mjaft bashkëstudentë normalistë të Elbasanit e quanin me kulturë të thellë e me shpirt shqiptar të papërkulur: Ish-anëtarja e K.Q. të Lidhjes së kumunistëve jugosllavë, Age Gruda, e zhgënjyer dhe e revoltuar për vrasjen e H. Tahës, dha menjëherë dorëheqjen nga funksionet partiake dhe e quante Hakiun, në rrethin e saj familjar, hero të kombit). Gafat e N.H.-s s’kishin të sosur. Ca nga pleqëria, ca nga druri i shtrembër që s’drejtohet dot, ajo bëlbëzonte në vend që të fliste dhe e quajti Dushan Mugoshën të shëmtuar si Koçi Xoxe dhe me shpirt të lig, si gjeneral lejtënanti . Harroi se ka dalë në qarkullim, në faksimile, ajo letra e saj gjysmësentimentale me shprehjet “s’do të harrojmë kurrë o Dushan i dashur” e të tjera, e të tjera...

Gjellë shtrigash!
Por aktakuza më bindëse, më e qartë, më gozhduese, i erdhi nga përtejoqeani prej fakteve të papërgënjeshtrueshme të së bijës së Syrjait, Mimozës dhe të bashkëshortit të saj, Mërgim Korçës. Në shkrimin e Mërgimit, me titullin “Nexhmije Hoxha, vazhduese e mashtrimeve të të shoqit!”, Mërgimi shtron pyetjen, që është edhe nëntitull i këtij shkrimi mbresëlënës: “A ka pyetur Nexhmija ç’mendojnë familjarët e Syrja Selfos për atë dhe për Enver Hoxhën?” (Gazeta “55”, 25 tetor 2008). “Përse E.H. e la vajzën e tij të vetme të kalbej, bashkë me nënën e saj, baltërave të Myzeqesë, duke i trajtuar – nënë e bijë, - si armike të popullit, édhe pas 1949-s, kur u pushkatua Koçi? Përse heshti gjer në vitin 1981, përgjatë 32 vitesh?”.
Kjo pyetje do ta bënte Nexhmijen të mbytej në mëk-mëk-et e saj, po t’i bëhej nga drejtuesja e programit. Na vjen keq që kjo drejtuese e dëmtoi emrin e saj, pas disa programeve me vlerë për çështjen Vanculas dhe pas disa programeve për Pavarësinë e Kosovës. Pyetje të tilla ishin të panumërta për t’u bërë, duke filluar me përfundimet absurde të zgjedhjeve në kohën e N.H.-s, që kuptohet sa të vlefshme ishin, nga vetë përfundimet e pabesueshme! Do të ishin të domosdoshme edhe pyetje për masakrën e Tivarit. Sepse aty cenohej drejtpërdrejt jo vetëm E.H., por edhe i përkrahuri i saj, antidemokrati me patentë, Ramiz Alia... Dëshminë për këtë mizorì antikombëtare e ka vulosur përfundimisht shifranti Islam Kadesha. Enveri e Ramizi ishin aq të përlyer, sa e kërcënuan shifrantin të mos e dekonspironte shifrën kobndjellëse, se i ikte koka!
Fjalët e sheqerosura me budallallëqe të N.H.-s bëhen të pabesueshme, sepse E.H., ndërmjet emrave të tjerë, përmend edhe Syrja Selfon, si “atentator për rrëzimin e pushtetit popullor”, në Konresin I të Partisë , më 8 nëntor 1948, kur Koçi Xoxe ishte demaskuar për krimet e tij (Në gjyq kishte deklaruar se s’kishte bërë asgjë pa dijeninë dhe miratimin e komandantit!). Kësisoj Mërgimi i përcakton këto dredhi mashtruese të Nexhmijes, si “gjellë shtrigash!”. Më saktësisht, s’ka ku të vejë...
Mimoza ishte katër vjeçe kur iu ekzekutua i ati, bamirësi i E.H.-s. Por kur u rrit, ajo kishte marrë vesh nga e ëma (e vé, që në moshën 24-vjeçare), se kishte gjetur në palën e të mbathurave të të shoqit, në një fletë cigareje, në të cilën kishte shkruar, me dorë të dridhur: “po shkoj viktimë e Enverit”. Mbase Syrjait, në orët e tij të fundme iu kujtua Shekspiri në pjesën ku Jul Cezari iu përvesh Brutit!
Kjo ngjarje tragjike e Mimozës dhe e mamasë së saj, do të më lejonte të bëja një digresion për t’u kredhur në një zymtí kujtimesh rinore vetjake, që ma kishte bërë të neveritshme, që në atë kohë, thënien e Stalinit se njeriu është kapitali më i çmuar! Komunizmi stalinist ishte kuintesenca e hipokrizisë tragjike. I tillë ishte edhe enverizmi, kopja e shëmtuar e stalinizmit.

Ismete Zyma pati fatin e Mimoza Selfos
Kur isha nxënës në klasën e dytë të gjimnazit, një ditë na vjen në shkollë shoqja jonë e klasës, Ismetja, me rrobe të zeza. E çmonim dhe e donim të gjithë këtë shoqe klase, se studionte dhe se ishte model i sjelljes së përkryer. Ishte thellësisht e pikëlluar, por nuk guxonim ta pyesnim se ç’i kishte ndodhur. Ajo ishte shumë e brishtë dhe nuk donim ta lëndonim. U munduam vetëm të ishim edhe më të përzemërt me të. (Përjashtohen ata 5-6 nxënës të klasës, në atë kohë, që ishin prototipat si ata të Pavlik Morozovëve, siç do të merrnim vesh më vonë se ç’ekzemplarë do të ishin!). Por ajo, me pikëllimin e saj të përmbajtur, sikur na falënderonte me një buzëqeshje si të detyruar. Atë ditë kërkonte vetminë dhe u ul në një bankë bosh.
Në pushim të madh, duke folur nën zë me njëri-tjetrin, morëm vesh se Ismetes i kishin vrarë babanë, inxhinier Zymën.
Ato ditë m’u desh të bëja një operacion në grykë. Dr. Besim Zyma ishte mik i babait dhe e këshilloi atë që t’i hiqja bajamet. Meqë babai impresionohej nga operacionet, donte të dilte nga salla. Por doktori i tha që të ishte i pranishëm se ai i kishte këto operacione më të lehta se heqja e një dhëmballe. Ndërkaq, - i tha, - do të të tregoj diçka vërtet interesante. Me këmbënguljen e doktorit im atë pranoi, së fundi. I dëgjoja tek flisnin frëngjisht. Çështje sekrete. Por ja që unë e kuptova të gjithë dialogun e tyre, se kisha dy vjet që merresha me këtë gjuhë vetë, duke e vazhduar edhe pasi na u hoq frëngjishtja , që na u zëvendësua me rusishten.
Halli hall, me instrumentet në grykë, por veshët bigë... Po flitej për të vëllanë e doktorit, ing. Zymën, babanë e Ismetes. Atë bisedë e regjistrova në kujtesë dhe mund ta riprodhoj edhe tani:
-ǒi thua kësaj, o Zoi. Në shtëpinë e Koçi Xoxes u bëra si i shtëpisë sime. Më thërriste edhe për një lavash veshësh. Sa herë vija, më mbante për darkë. Pas ekzekutimit të vëllait, më bie zilja e telefonit. –“S’jemi parë, ka ca kohë, - më tha. A je i lirë të të dërgoj makinën?”. S’mund t’i thosha jo. Por mbeta pak i shtangur nga kjo telefonatë, se ai më foli me humor, si edhe më parë, sikur s’më kishte ndodhur asgjë. Pasi ma shtroi tavolinën, si më parë, më tha se dukesha si i mërzitur.
-Po, - i thashë. Dje ishim në zi. E vranë inxhinierin.
-Vëllanë? Po më habit!
Brofi në këmbë, doli në studion pranë dhe mori telefonin. Një pjesë e fjalëve dëgjoheshin. Erdhi i vrenjtur. – Par fat të keq, është e vërtetë, - më tha. – Është nga rastet shumë të rralla që s’vihem në dijeni, sidomos në gjyqet me pak të pandehur...(Pastaj u shkëmbyen disa fjalë ngushëllimesh, por doktori kërkonte të zbrazej, si dukej, gjer në fund, me babanë). “Në rrobat e palara, e shoqja kishte gjetur përbrenda ildisë së llastikut, këtë shënim, të shprehur në frëngjisht: “Je meurs comme un ange” (po vdes si një engjëll= pa faj)”.
Duke lexuar Mërgim Korçën, m’u kujtua ky episod i përzishëm. Dhe m’u përtëritën përsiatjet, që i bëri vetë Dr. Zyma: - A thua, Zoi, se luajti pjesën? Po ç’nevojë kishte për këtë shtirje? Ai të gjithë otorinolaringojatrët i ka në dispozicion. Për sëmundje të rëndë, i hipën aeroplanit! Apo tani, që s’është dhe aq në terezi, ka edhe më lart se ai...?
Im atë u ndodh ngushtë, ndonëse kishte besim të plotë te Dr. Zyma. I tha diçka si... “E shkreta familje, thuaj. Se tani është e kotë të vrasim mendjen për gjera që s’i dimë”. Operacioni kishte mbaruar dhe klientët prisnin prapa derës...
Tani gjerat janë qartësuar. Enveri s’e kishte për pesë njeriun, “kapitalin më të çmuar”, ironikisht!

Deri kur do të vazhdojmë kështu?
Përfundimi i autorit të shkrimit, Mërgim Korçës, meriton të citohet: “ Ajo kërkon që, me zërin e saj të çjerrë si prej bishe, të synojë që heroi i saj, (që e drejtoi vendin i rrethuar veç nga tradhtarë e të shitur te imperializmat ango-amerikano-jugosllavo-sovjetiko-kinezë), të rivihet në vendin që i takon, në krye të mauzoleumit të ndërtuesve të Shqipërisë! Ja, këtë kërkon sot Nexhmije Hoxha dhe tallet me të gjithë popullin! Po, tallet; se a ka vend ku të rrijë të diskutuarit nga ana e saj a ka faje ajo për të cilat të kërkojë ndjesë, apo nuk ka? A ka faje ajo kur, edhe mbasi u dënua K. Xoxe dhe paska dalë në shesh se ai i kishte trilluar akuzat kundër Syreja Selfos, që nga 1949-a e në vazhdim, mëmë dhe bijë shiheshin si gruaja dhe bija e të pushkatuarit si tradhtar i Atdheut?! Dhe unë pyes: Deri kur do të lejohet kjo praktikë që inkuizitorët të vazhdojnë dhe t’i nëpërkëmbin e t’i torturojnë shpirtërisht edhe sot viktimat e luftës së kllasave?”.
Do të doja ta vazhdoj edhe më tej atë “deri kur” të mikut tim të rinisë, Mërgim Korçës. Antiamerikanizmi i majtizmit tonë specifik vazhdoi kundër ithtarëve të demokracisë amerikane dhe presidentëve të saj Uillson, Regan, Kenedi (F. Balliu, “55”, 27.10.’08, f. 3). Përkushtimi i sinqertë i demokratëve u shpreh edhe ndaj presidentëve të mëvonshëm Klinton e Xh. W. Bush. E kjo aleancë me demokracinë e madhe amerikane nuk ndikohet aspak nga sondazhe mediatike, sepse “kjo aleancë do të jetë njëlloj e rëndësshme dhe jetike për ne, pavarësisht nga emri i Presidentit, qoftë ky Mc Keini, apo Obama,, (Balliu, po aty). Por majtizmi ynë nostalgjik është krejtësisht i pabesueshëm në këtë “aleancë të stisur” majtiste, domethënë të sajuar nën ngacmimin patologjik të etjes për pushtet. Është një provë që i përnjollos si hileqarë ata që vranë në 3 prillin e 1993-shit popullin e paarmatosur të Shkodrës, që u ngrit në protestë për falsitetin e zgjedhjeve të fundit të marsit të atij viti. Pas Nanos erdhi Bufi në krye të qeverisë, që u quajt “e stabilitetit”. Por spiunllëku antiamerikan vazhdoi edhe pas një viti e gjysmë përtej proceseve demokratike, me Drejtorinë e Parë të Sigurimit, që përndiqte demokratët antikomunistë, nën drejtimin e kameleonit R. Alia. (Nexhmija e ruan atë helmin kundër S. Berishës, të cilin nuk e donte si mjek të oborrit – një nder për kryeministrin e sotëm). Më 27 tetor i pamë firmat e ministrave të Rendit Publik, - një faksimile të A. Shytit dhe një të dytë të B. Yzeirit, më 2. 07.’91 – që raportonin për spiunimin hap pas hapi të mikut të sinqertë të demokratëve shqiptarë, ambasadorin Uilliam Rajërson. Aty kemi edhe emra demokratësh që takoheshin me të! (Faksimilet në “55”-n e 27 tetorit 2008, f. 16-17).
E ata përndjekës, spiunë antiamerikanë të paguar nga R. Alia, miku i pandarë i Nexhmijes, janë po ata që sot janë bërë si të hardallosur rreth Edi Ramës, për të marrë poste në zgjedhjet e 2009-s! Siç morën poste e karrige parlamentare, pas farsës zgjedhore të ’97-s, analfabetë e pirës gjaku të tipit të Lizës dhe të kallashtregishtorëve të tjerë. A mund të besohet “dashuria” ndaj amerikanëve e këtij rodi majtistësh që kemi ne?
Rrëfimet e M. Korçës argumentohen edhe me dëshmitë e dy personave të rëndësishëm. Këto dëshmi mund të lexohen në shkrimin e Mërgimit. E mira do të ishte që shkrime të tilla të argumentuara të koleksionohen dhe të botohen në një vëllim më vete.

Nexhmija flet si në kohën kur i thoshin Amin!
Është një shkrim i “55-s”, i 4 qershorit të vitit 2003, si kundërveprim i një interviste në një gazetë. Po citojmë fundin e këtij shkrimi:
Nexhmija: “Unë personalisht as kam vrarë, as kam dënuar njeri!”. As Stalini ( që e quajti Shqipërinë plaçkë tregu), nuk i vriste vetë viktimat e tij milionëshe. Si Andrei Vishinksi kishte edhe këtu, te njerëzit “e nderuar” të Nexhmijes, prokurorë e operativë të vdekjes, që vranë nacionalistë e komunistë, paçka se këta të fundit ishin nacionalçlirimtarë, siç ishte edhe Nexhmija!
Ankimet për mungesë mirëtrajtimi përshkojnë të gjithë propagandën e saj pasdiktatoriale në të gjitha shkrimet, përfshirë edhe librat, në botime luksi, ç’është e vërteta, (mos të ankohet edhe për këtë!), ndërsa s’i jepte të drejtën të ankohej Suzana Gërvallës, e cila nuk kishte mundësinë as të ishte një nëpunëse e thjeshtë e një institucion historik; sepse ata që punonin nëpër arkivat që kishin të bënin me çështjen e Kosovës, duhej të ishin tepër të besueshëm (lexo: të kalonin në vrimën e gjilpërës) dhe e shoqja e heroit kosovar nuk na paska qenë anëtare partie…
Më tej autori i këtij shkrimi i drejtohet në vetë të dytë:
-Demokracia ju ka dhënë të drejtën jo vetëm të ankoheni se “asnjë nga problemet dhe kërkesat tuaja nuk është zgjidhur” (po problemet dhe kërkesat e të përndjekurve të vërtetë a janë zgjidhur?!), se jeni në pikë të hallit nga pikëpamja ekonomike, se bijtë dhe nipat tuaj vajtën jashtë shtetit, por u kthyen (ndërsa ju e quanit krim vetëm orvatjen për të vajtur jashtë shtetit!), - ju ka dhënë të drejtën, pra, që të bëni edhe kërcënime, përveç ankesave standarde: - “Na bren ndërgjegjja që s’ditëm të bëjmë atë që duhej bërë për mbrojtjen e fitoreve të shkëlqyera të pushtetit popullor”. Meqë fraza është disi e paqartë, ç’duhej bërë konkretisht për të mbrojtur fitoret, domethënë diktaturën? Duhej shtuar edhe më tepër dhuna? Pikërisht këtë bënë Nikolau dhe Jelena. Donit të ndiqnit rrugën e tyre? (Por do të merrnit përsipër edhe përfundimin e tyre!).
Ajo kritikon të metat e demokracisë, (s’ka regjim pa të meta), por ajo harron një gjë thelbësore: njeriun e ri, të zvetënuar dhe pa karakter, spiun brenda familjes, pjellë të regjimit të saj. E pikërisht ky njeriu i ri, drejton sot vendin tonë. Natyrisht, “njeriu i ri” i bërë pushtetar pas ’97-s edhe me ndihmë të disa “miqve” jashtë vendit. [Jemi në opozitë (4. 06. 2003 ).].
E këta “miq” janë armiqtë e Shqipërisë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›