E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Kori i korbave të opozitës po vajton anëtarësimin në NATO

Kryetarja e Kuvendit vijon turin “NATO, ne ia dolëm” në Milot dhe Mamurras

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli akuzoi dje opozitën se po përpiqet të baltosë edhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke vajtuar çdo ditë për të refuzuar realitetin. Në kuadër të turit të saj “NATO, ne ia dolëm”, kryeparlamentarja Topalli u ndal dje në Milot dhe Mamurras, dy zona që siç u shpreh ajo, “kanë qenë mbështetëset e palëkundura në premtimin tonë për ndryshim dhe integrim”. 
Kryeparlamentarja Topalli tha dje në takimin me banorët se opozita është kthyer në një kor korbash që vajtojnë çdo ditë duke refuzuar realitetin. “Tamam si sot një vit më parë zëdhënësi i Edi Ramës doli në Tiranë në njërën nga konferencat e tyre të mërzitshme, duke thënë se nuk do e pranojnë Shqipërinë, dhe nuk do i japin Shqipërisë ftesën në NATO. Pas dy ditësh Sali Berisha ishte i ulur me Xhorxh Bushin për të marrë ftesën në NATO. Përsëri zëdhënësi i Edi Ramës del dhe thotë se Shqipëria nuk do të integrohet sepse kemi probleme me ID. Ky është një turp, ky është papërgjegjshmëri. Janë kthyer në një korr korbash që vajtojnë çdo ditë, që refuzojnë realitetin”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli.
Në vijim, ajo solli në vëmendje faktin se edhe 5 ditë dhe Shqipëria do të jetë në Strasburg-Këln, si anëtare me të drejta të plota të Aleancës më të madhe për të gjithë kohërat e lirisë.
“Me hyrjen e Shqipërisë në NATO, ne të gjithë do të jemi më të sigurt, do të jetojmë më mirë, do të kemi një të ardhme më të ndritur”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, duke theksuar se ne jemi plotësisht të vendosur për të vazhduar mandatin e dytë, me mandatin e vazhdimit të ndryshimit.
Jozefina Topalli rikujtoi kohën kur PD dhe aleatët e saj erdhën në pushtet 4 vite më pare, kur, sipas saj, në Shqipëri vazhdohej me një sistem të  plotë  korrupsioni, por që tani është shembur, sikurse u shkatërruan grupet kriminale dhe mafioze.
Kryeparlamentarja Topalli veçoi si një premtim të mbajtur dhe shfrytëzimin e potencialeve të jashtëzakonshme në këto 4 vite të qeverisjes së djathtë.
“Nga viti 1997- 2005, këto potenciale as nuk dihej se ekzistonin. Sot ne i shfrytëzojmë ato për të ndryshuar jetën e çdo shqiptari”, tha ajo, ndërsa evidentoi si premtime të mbajtura dhe uljen e taksave, rritjen e të ardhurave, dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, infermierëve, pensionistëve, dyfishimin e buxhetit dhe rritjen në mënyrë të paimagjinueshme të investimeve të huaja.
Siç vuri në dukje kryeparlamentarja, qeveria ka arritur të realizojë dy gjëra të jashtëzakonshme, transformimin e infrastrukturës, pakrahasimisht me katër vite më parë, dhe shmangien e efekteve të krizës globale.
“Shqipëria vazhdon të mbetet i vetmi vend me rritje ekonomike pozitive dhe kjo sepse doktrina që ne realizuam gjatë kësaj periudhe është ajo doktrinë që po adoptojnë sot vendet e tjera të botës për të përballuar krizën” tha ajo, duke nënvizuar se doktrina jonë është e bazuar në uljen e taksave dhe rritjen e të ardhurave dhe zbatohet me seriozitet dhe përgjegjshmëri nga shteti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›