RTSH mirëpret edicionin e 12-të të festivalit “Flauti Magjik” nën drejtimin e Fatos Qerimajt

Festivali “Flauti Magjik” rikthehet këtë vit me edicionin e tij të 12-të, duke vijuar traditën e promovimit të muzikës së dhomës dhe interpretimit me flaut. Aktiviteti i përvitshëm, që tashmë është bërë një pikëtakim i rëndësishëm për dashamirësit e muzikës klasike, vjen këtë herë në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Fatos Qerimaj.
Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, dirigjenti Qerimaj theksoi se festivali ka një histori 12-vjeçare dhe vazhdon të mbetet një “laborator artistik” ku takohen tradita dhe risia muzikore. Koncerti do të zhvillohet sonte, në orën 19:00, në Sallën “Ferdinand Deda” në RTSH.
Programi i këtij edicioni sjell një repertor të përzgjedhur që përfshin një trio nga Maqedonia e Veriut artistë dhe pedagogë me karrierë ndërkombëtare të cilët do të hapin pjesën e parë të koncertit.
“Festivali ka 12 vite që bëhet dhe ka një histori të tij dhe vjen sot në mbrëmje në orën 19:00, në Sallën “Ferdinand Deda” e cila na jep gjithmonë nostalgji dhe kam gati 30 vite që kam bashkëpunuar me artistët e RTSH, të cilët janë të mrekullueshëm ku gjithmonë kemi punuar për të bërë një laborator artistik për festivalin “Flauti Magjik”. Për të thënë diçka ndryshe, diçka që publiku e do dhe e pret. Këtë vit kemi një repertor të zgjedhur, por ajo që është më interesante dhe që publiku do të shikoj është një trio që vjen nga Maqedonia e veriut të cilët janë pedagog, artist karriere që do të luajnë dhe pjesën e parë të programit, ndërsa pjesa e dytë do të jetë Mozart, Uvertura e Flautit magjik bashkë me koncertin për klarinetë i cili do të luhet nga Roland Berbiu”, u shpreh dirigjenti.
Qerimaj theksoi gjithashtu se festivali “Flauti Magjik” mbetet një ngjarje unike në kalendarin kulturor shqiptar, që bashkon artistë të rinj dhe të afirmuar në një harmoni të veçantë tingujsh dhe emocionesh.
“Festivali një ndër prioritet që ka është për ti ardhur në ndihmë dhe studentëve tanë të Universitetit të Arteve. Ne për publikun luajmë muzikën, duam duartrokitjet e tyre. Ky repertor që kemi zgjedhur, të dyja materialet janë Formacioni i Harqeve te RTSH ka një impakt shumë të gjerë. Kur e nisëm festivalin “Flauti Magjik”, e nisa si dëshirë e studentëve. Është një bashkëpunim midis instrumentistëve të rinj dhe atyre profesionist”, tha ai.
/rtsh.al/