E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dielën zgjedhjet e pjesshme vendore, Policia e Shtetit plan masash për mbarëvajtjen e tyre dhe ruajtjen e materialeve zgjedhore

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, që po zbatohet nga strukturat vendore në pesë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.

Policia ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe të shtunën do të marrë në ruajtje 473 qendra votimi. Në total, 612 punonjës policie dhe mjete shërbimi do të angazhohen për sigurinë e procesit, lista e të cilëve është miratuar nga KQZ.

Gjatë ditës së votimit, Policia do të qëndrojë në gatishmëri në pikat e kontaktit me KQZ-në, KZAZ-të dhe QV-të, për të ndërhyrë sipas përcaktimeve ligjore në rast nevoje. Më 9 nëntor, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje objektet e numërimit të votave (VNV), deri në përfundim të procesit.

“Ditën e diel kur mbahen zgjedhjet, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Më datë 09.11.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit. Janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje”, njofton policia.

Janë ngritur grupe të posaçme hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese. Po ashtu, në Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit të procesit zgjedhor.

Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar një proces të qetë, të sigurt dhe transparent, duke u bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo tentativë për cenimin apo tjetërsimin e votës, dhe subjekteve politike të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me strukturat e rendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›