Surpriza e ditëlindjes që e çoi në Eurovizion Junior/ Kroni Pula, një histori përrallash

Dy ditë më parë është publikuar videoklipi i këngës “Fruta perime”, me të cilën Kroni Pula do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest 2025.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, Kroni tregon emocionet dhe përjetimet.
“Kur e pashë videoklipin i thashë mamit ‘Si ka dalë kaq bukur?!’ Pjesa e kërcimit ishte pak e vështirë për kërcimtaret dhe mua si dhe përsëritja e skenave. Po ashtu dhe pjesa e patave në videoklip që iknin”.
Kroni shprehet se kënga dhe videoklipi është pëlqyer dhe se ka marrë shumë komente.
“Me thënë të vërtetën nuk i shikoj komentet, i shikon mami. Më kanë thënë që kënga është shumë e mirë dhe do fitojë Eurovizionin”.
“Fruta perime” është shkruar në nota e vargje nga Adi Hila.
“Kënga lindi se të vegjëlit hanë çokollata dhe patatina. Kënga tregon që duhet të hamë më shumë shëndetshëm”, shpjegon Kroni e cila shton se fruti i saj i preferuar është mandarina dhe nga perimet pëlqen karotat.
Ndonëse rrjetet sociale ia menaxhon e ëma, Kroni ka arritur të ketë kontakte më konkurrentët e shteteve të tjera.
“Kam filluar të komunikoj me Spanjën dhe Ukrainën. Jam me disa nga fëmijët e lidhur”.
Kroni Pula ka nisur të këndojë e të kërcejë që kur ishte 4 vjeçe.
“Talentin e kuptoi babi ngaqë ai ka vesh muzike, ka pasur një bend muzikor në gjimnaz.”
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër ku ajo u shpall fituese këtë vit, është skena e parë ku është ngjitur.
“Pjesëmarrjen në Festivalin e Shkodrës ma bëri mami surprizë për ditëlindjen që e kam më 18 maj, ndërsa festivali ishte në datën 28. Nuk e prisja fitoren, ama është një eksperiencë që më pëlqeu shumë sepse nuk kisha kënduar ndonjëherë në ndonjë skenë. Ishte hera e parë”.
Për të ka qenë një ëndërr të këndojë në Eurovizion, e cila do të bëhet realitet më 13 dhjetor, ku festivali do të mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Kroni është 9 vjeçe e gjysmë, pjesëmarrësja më e vogël e këtij edicioni.
Në skenën e Eurovizionit ajo zbulon se do të shoqërohet nga katër balerina.
“Kam shumë emocione, më shumë se sa tek Festivali i Fëmijëve në Shqipëri. I them vetes bëj qejf dhe mos konkurro. Mami më ka thënë ‘Mos u hidh shumë se do të të ikë zëri’. Të dy bashkë me babin më kanë thënë ‘Ta shijosh’”.