Viti ri shkollor, MASH premton kompensim për arsimin 9-vjeçar
Procesi i kompensimit të librit shkollor për vitin e ri mësimor 2008-2009, do të përqendrohet në arsimin 9-vjeçar.
Sipas Ministrisë së Arsimit, një politikë e tillë, përputhet me përcaktimin kushtetues që arsimi bazë është arsim i detyrueshëm, si dhe me një sërë dokumentesh ndërkombëtarë, si objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit të OKB-së. Gjithashtu përqendrimi në arsimin bazë, jo vetëm i kompensimit të librit shkollor, por edhe i resurseve njerëzore dhe i burimeve të tjera buxhetore, do ta reduktojë në minimum sipas MASH-it, nivelin e analfabetizmit në moshën e detyrimit shkollor. Për këto arsye, bazuar edhe në kërkesat e Sindikatave të Arsimit, MASH-i ka rënë dakord që për kompensimin e teksteve shkollore të ndjekë politikën e përdorur fillimisht në vitin 2006. Javën e ardhshme pritet që MASH-i të shpallë qëndrimin përfundimtar për mënyrën e kompensimit të librit shkollor në arsimin bazë, si dhe përkrahjet e tjera në këtë sektor. Kompensimi i librave shkollor sipas kësaj mënyre, ka qenë edhe një nga kërkesat që Federata e Sindikatave të Arsimit dhe sindikata e pavarur e saj i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit tre ditë më parë.
21 Korrik 2008