E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raboshta: Luftëtari do të vijë duke u përmirësuar

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Shkodrani i sulmit gjirokastrit, Jasmin Raboshta, beson te fitorja me Lushnjën, madje parandjen edhe golin

Duke qenë se objektivi kryesor i Luftëtarit është kampionati, do të fokusohemi te java e 5-të  e tij, ku do të spikatin ndeshjet Luftëtari-Elbasani dhe Besëlidhja-Lushnja, përderisa luajnë  4 nga 5 ekipet më me tradita dhe pretendime (tjetri Besa). Por ndeshja Francë- Shqipëri për kombëtaret U-21 nuk lejon zhvillimin e ndeshjes së parë, kështu që ekipi gjirokastrit fillimisht do të presë Lushnjën.

Për këtë ndeshje duhet ti përveshë mirë mëngët për të korrur fitoren, sepse ajo nuk bie nga qielli si dhuratë. Tifozët gjirokastritë kanë besim se ekipi i zemrës do ta fitojë këtë sfidë për të prezantuar sharmin e tij, që pati njëfarë venitjeje në Lezhë. Është ndeshja, ku sulmuesit e Luftëtarit duhet ta tregojnë veten, pasi nga 4 golat e realizuar deri tani njëri sjell firmën e një sulmuesi, Raboshtës, edhe ky me 11-metërsh.

Natyrisht, parësore është që të arrihet fitorja, pavarësisht se kush do të shënojë, pra rëndësi ka të funksionojë me agresivitet  sportiv loja e grupit, ku ekipi duhet bërë grusht për ta nxjerrë nokaut kundërshtarin. Dihet që golat nuk realizohen me porosi, por ndërkaq pa shënuar gol, është e pamundur të fitohet, veçse me autogol. Luftëtërit i duhet patjetër 3-pikëshi dhe sulmuesi shkodran i ekipit gjirokastrit, Jasmin Raboshta, shprehet me besim se ajo do të arrihet.

Besëlidhja Më parë ai komenton humbjen në Lezhë: Për përballjen me Besëlidhjen, ku pësuam humbjen minimale, mbajmë të gjithë përgjegjësi, mbrojtja për faktin që pësuam gol, mesfusha që nuk dirigjoi si duhet dhe sulmi që u tregua shterp, si gjithë kompleksi. Humbja pra nuk erdhi nga presioni i Besëlidhjes , por më tepër nga gabimet tona, nga pakujdesia në mbrojtje dhe paaftësia në sulm.

Lushnja Duke marrë parasysh se në këtë Luftëtar ka disa kualitete, them se në ndeshjen me Lushnjën do të manifestojnë personalitetin e tyre sportiv dhe loja e ekipit do të ketë  përmirësim të ndjeshëm, duke mbyllur korridoret  kundërshtarëve dhe në kërkim  të shpërthimit të mbrojtjes së tyre. Lushnja është ndër rivalët kryesorë dhe me atë ambicje  si të vetë Luftëtarit.

Kështu, kjo përballje do të jetë më e forta nga sa kemi bërë, por ne duhet të dimë të përfitojmë nga faktori  fushë. Jo vetëm që dëshiroj të shënoj, por kam parandjenjën se do ta bëj një gjë të tillë. Sidoqoftë, ajo që duhet bërë është të realizojmë fitoren, pavarësisht nga autori ose autorët e golave, ka përfunduar Raboshta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›