Apolonia,dy portierë të rinj garantojnë portën
Klodian Xhelili dhe Andi Xhixha po e mbrojnë me radhë portën fierake, duke u paraqitur në nivelin e duhur
Ka qenë autokritika më e mirë e mundshme dhe reagim fantastik ai që skuadra fierake ka bërë në ndeshjen kundër kamzalinjve. Pas një gjysmëhapi që bën në fushën e vet kundër laçianëve, bardhejeshilët kanë dalë fitues në ndeshjen kundër Kamzës, në një takim transferte. Apolonia ka qenë një skuadër gjithë grintë, e kujdesshme dhe me një futboll të qartë në fushën e lojës dhe kjo ka qenë arma sekrete që e ka nxjerrë fituese ndaj një ekipi që drejtohej nga një ishtrajner i Apolonisë.
Nuk është thjesht një fitore e arritur në Kamzë, por freskia në fushë dhe profili i Apolonisë që e ka bërë opinionin futbollistik ta kthejë vëmendjen nga kjo skuadër dhe nga mundësitë që ka. Aktualisht, pasi kanë përmbyllur me sukses transfertën e dytë të këtij sezoni, fierakët janë pozicionuar të katërtët në renditje, me pikë të barabarta me Bylisin e vendit të tretë, vetëm dy pikë më pak se Tirana e Teuta që udhëheqin superligën shqiptare.
Është momenti i volitshëm që Apolonia të synojë të ngjitet më lart në renditje, pasi java pasardhëse që do të luhet më 15 tetor, i ka rezervuar Apolonisë mundësinë që të ndeshet me Teutën e vendit të dytë dhe, një fitore detyrë shtëpie e bardhejeshilëve, do tu jepte mundësinë që të bënin rrokadë me djemtë e detit.
Portierët Klodian Xhelili dhe Andi Xhixha janë dy portierët të cilët i janë nënshtruar turnoverit në këto katër javë të para të kampionatit superior. Është pozitiv ky fakt, pasi i ka vënë në moto pune të dy gardianët. Për sa i përket përzgjedhjes se cili do të jetë në formacionin bazë, është trajneri i portierëve, Adrian Balla, që shprehet: Është normalitet që luan ai që është në formën më të mirë.
Ne jemi të kënaqur me seriozitetin në përgatitje të portierëve tanë dhe gatishmërinë që ata tregojnë për të mbrojtur portën, por edhe për të pranuar zgjedhjen tonë. Deri tani, të dy kanë respektuar vendimet e marra nga stafi teknik dhe kjo tregon se ata janë profesionistë të vërtetë.
Edhe ky fakt është tregues se Apolonia funksionon si grup dhe gjithçka mirëkuptohet nga ana e futbollistëve, të cilët janë të gatshëm që të bëjnë gjithçka në emër të arritjes si skuadër. Xhelili dhe Xhixha luajnë të parin sezon tek Apolonia, por siç janë shprehur vetë portierët, janë përshtatur dhe ndihen sikur kanë sezone që ndodhen në këtë mjedis.
Asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim fjalën e trajnerit tonë dhe përzgjedhjen e bërë prej stafit teknik. Dhe kjo do të ndodhë deri në fund të kampionatit, – flet në emër të të dyve portieri Klodian Xhelili.
