E Diel, 1 Nëntor 2026

Të mërkurën miqësore derbi, Partizani-Dinamo

ILIR CARA

Dikur përballjet mes të kuqve dhe bluve ishin derbi, që prodhonin  emocione në kryeqytet, por dy skuadrat nuk e kanë shkëlqimin e dikurshëm

Partizani vijon përgatitjet dimërore dhe në kuadër të këtyre përgatitjeve të kuqtë kanë kryer disa ndeshje miqësore. Të mërkurën demat e kuq kanë një tjetër test, por kësaj radhe bëhet fjalë për një miqësore luksi, pasi përballë Partizanit do të jetë Dinamo. Ky derbi miqësor do të luhet në ish-kompleksin Dinamo dhe të dy skuadrat kanë dy orë në dispozicion për këtë sfidë, pikërisht nga ora 11:15- 13:15.

Në kuadër të këtyre përgatitjeve dimërore Partizani është ndeshuar me skuadra të kategorisë së dytë dhe të parë, por të mërkurën të kuqtë do të masin forcat me një kundërshtar superlige. Jo vetëm Partizani, por edhe Dinamo ishte në kërkim të një ndeshje kontrolli, për vetë faktin se dinamovitët nuk luajnë në kupë dhe ndeshjen e radhës e kanë me 3 mars me Skënderbeun.

Dikur Partizani dhe Dinamo i jepnin tonin futbollit shqiptar, ndërsa tani dy skuadrat kanë humbur shumë nga lavdia e tyre, gjë të cilën e tregojnë edhe objektivat sezonale. Partizani synon që në fund të sezonit të ngjitet nga kategoria e dytë në të parën, ndërsa Dinamo ka një mision tepër të vështirë, që të mos bjerë në kategorinë e parë.

Me këtë ecuri të dy ekipeve ka shumë mundësi që ky derbi miqësor, që do të zhvillohet nesër, sezonin e ardhshëm të zhvendoset zyrtarisht në kategorinë e parë. Partizani është përforcuar ndjeshëm në merkaton e dimrit, ku lojtarët me eksperiencë janë të shumtë, gjë e cila shikohet si çelësi i suksesit.

Ky derbi i nesërm do të jetë edhe një përballje ishësh, ku më të freskët janë Klodian Asllani dhe Rezart Maho, që në pjesën e parë të sezonit ishin organikë e bluve, por tani dyshja lufton për ngjitjen e Partizanit. Ndeshjet e shpeshta miqësore i kanë shërbyer stafit teknik të të kuqve të kryeqytetit për të konsoliduar grupin, në mënyrë që më 4 mars, afat kur nis faza e dytë, Partizani të jetë gati për të mbrojtur vendin e parë në Grupin B deri në fund të edicionit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›