E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhët, qeveria aspak dinjitet për pensionistët

Share

Nga Eglantina Gjermeni

Viti 2012 është konsideruar nga vendet e Bashkimit Europian si Viti Europian i Moshimit Aktiv dhe Solidaritetit Midis Brezave.

Sa larg këtij realiteti jemi…sa pak kujdesemi ne si shoqëri për të moshuarit, sa pak apo aspak kushte i krijojmë për një moshim aktiv, sa pa dinjitet i trajton shteti ynë të moshuarit…

Ne vendet e zhvilluara i quajnë Senior citizens d.m.th zotërinj të nderuar.

Pak ditë më parë dëgjova në emisionin Fiks fare të thuhej fatkeqësi e madhe të jesh pensionist në këtë vend.. e trishtueshme edhe tronditëse… Ndërkohë të gjithë ne kemi prindër, të afërm që janë të moshuar e për më tepër me këto ritme demografikë, përqindja e popullsisë së moshuar po rritet më ritme të shpejta… që i bie se do të shtohen fatkeqët.

Problemi është se edhe vetë qeveritarët tanë nuk po e kuptojnë se moshimi është edhe pjesë e jetës së tyre, ndaj tij politikanët nuk kanë imunitet, prandaj qoftë edhe për këtë arsye duhet të ndërgjegjësohen për politika dhe masa që trajtojnë sfidat e moshimit të popullsisë.

Ndërsa qeveria jonë po planifikon të ulë numrin e pensionistëve, në fakt duke rritur moshën e pensionit, pra ti varfërojë më shumë qytetarët që janë të papunë dhe në moshën e pensionit, duke pritur shumë më tepër vite që ta marrin këtë pension.

Pse vallë duhet të zvarriten edhe të presin radhë pa fund prindërit tanë, ashtu siç po ndodh ditët e fundit, ndërkohë që të moshuarit kanë një jetë që sakrifikojnë edhe që meritojnë respekt, mirënjohje edhe vlerësim për gjithçka kanë bërë për në … edhe sikur shteti tua falte ato pensione, sërish nuk e meritonin këtë trajtim pensionistë. Edhe nuk është e para herë që trajtohen kështu. Kjo qeveri po bën  tre vite që nuk ua ka dhënë as shpërblimin për Vit të Ri pensionistëve, duke i diskriminuar sërish….

Jemi të gjithë dëshmitarë të realitetit të dhimbshëm shqiptar se në bazë të skemës ekzistuese, nivelit të pensioneve, pensionistët që përbëjnë më shumë se gjysëm milioni në Shqipëri, janë të varfër qoftë në qytete apo ca më keq në fshat, dhe niveli i pensioneve nuk ka arritur atë të para viteve 90-të.

Konsiderohen me fat ata të moshuar që kanë fëmijët këtu apo në emigracion që kujdesen për ta edhe që jeta e tyre nuk varet vetëm nga pensioni… ndryshe vërtet e vështirë edhe thuajse e pamundur të mbijetojnë në një realitet të tillë. Ky realitet në të cilin jo vetëm qytetarët marrin ushqime me lista edhe këtu në mes të Tiranës, por ka edhe pensionistë që e pinë kafen me listë duke menduar se do ta paguajnë në momentin që marrin pensionin,  por kur ndryshon data e marrjes së pensionit, e kuptojnë se nuk mund ta paguajnë sërish… presin radhën që duket se edhe në pleqëri nuk po i ndahet edhe tani që duhet të gëzojnë pleqërinë, i duhet të fajësojnë veten pse janë kaq të varfër.

Edhe kur janë në spital duhet të mendohen mire se mund ti ikë data e marrjes së pensionit edhe hajde mere vesh pastaj se kur mund ta marrin. Cikli i varfërisë vazhdon edhe mungesa e respektit dhe dinjitetit i vret edhe më shumë se sa mungesa e parave.

Mënyra se si sillemi dhe trajtojmë pensionistët dhe moshën e tretë në përgjithësi është një nga treguesit të nivelit të zhvillimit kulturor, human dhe demokratik të shoqërisë sonë. Të moshuarit nuk kanë nevojë ti kujtojmë vetëm në 1 tetor, ditën ndërkombëtare të të moshuarve, por kanë nevojë për vëmendje, kujdes shëndetësor e social, por mbi të gjitha kanë nevojë të trajtohen me dinjitet e respekt sepse jo vetëm e meritojnë, por ne u detyrohemi për këtë gjë.

Partia Socialiste e ka shprehur në programin e saj se do të reformojë sistemin e pensioneve duke u nisur nga vizioni i saj për të ndërtuar një sistem që do të jetë një mekanizëm për të nxjerrë pensionistët nga varfëria jo me fjalë, por me politika realiste dhe funksionale, të cilat do të rritin të ardhurat reale të pensionistëve dhe padyshim respektimin e dinjitetit të tyre.

*Fjala e mbajtur nga deputetja e PS në Kuvend

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›