Zoti Berisha, lëri qyfyret me internet, por ço në fshat shkollat, mjekësinë, naftën, vaditjen

Sali Berisha, sot me 22 mars
Nga Përparim Halili
Nuk vonoi as 2 orë nga urdhri demagogjik e anormal që kryeministri Sali Berisha u dha prefektëve të qarqeve për të futur internetin falas në çdo fshat dhe dolën reagimet e para nga zonat fshatare, me adresë kryeministrin dhe kujtesë mediat. Në adresën e-mail-it tonë na erdhën mesazhe të banorëve të zonave rurale nga Shkodra, Mirdita, Dibra, Librazhdi, Lezha, Vlora, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti e Berati, të cilët e konsideronin këtë premtim të kryeministrit si tallje të plotë me hallet reale që ka fshati sot e 20 vjet më parë, kur Sali Berisha premtoi modelin e fshtait europian. Në reagimet e tyre, përveçse tallje e rëndë publike, ata e konsiderojnë premtim-urdhrin e kryeministrit Sali Berisha si një shashkë demagogjike të radhës, si vazhdimësi të mashtrimeve të tij me problemet jetike të popullatës së përvuajtur e të braktisur të fshatit shqiptar. Në fakt, siç reagojnë banorët e fshatit, kjo është tallje e rëndë publike me jetën e këtyre njerëzve, të cilët jetojnë në zona të lëna jashtë programit qeverisës të kabinetit Berisha.
Kur dëgjuam këtë urdhër, që kryeministri e trajtoi si tregues integrimi e zhvillimi, na u kujtua loja telefonike Telebingo që bëhet me zarfa në TV-Klan, ku Ardit Gjerbrea, i thoshte një fituesi 80 vjeçar nga Shkodra: Dodë, po të jap si dhuratë një aparat Plejstejshën, që të luash e të kënaqesh gjithë ditën. Ndërsa 80 vjeçari Dodë, iu përgjigj:- Ta hangsha zemrën, po pash zotin lene atë veglën e lojës, se nuk ja kam ngenë, po shiko me jep noj send tjetër që më hyn në punë e që më ban hajër nji tash.
Tamam si Arditi i Telebingo TV-Klanit veproi edhe kryeministri Sali Berisha me urdhrin që u dha prefektëve për të gjetur ndonjë dhomë në fshatra e për tu çuar fshatarëve internetin. A thua se fshatarit shqiptar i janë plotësuar të gjithë kushtet e nevojat sociale-ekonomike dhe tani i mungon vetëm interneti?! A thua se me çuarjen e internetit në fshatra (dihet që është mashtrim) banorëve u krijohet parajsa e plotë e premtuar prej qeverisë?! Natyrisht që jo! Aktualisht jetës dhe punës së fshatarit shqiptar, i mungon gjithçka që i kërkon jetesa dhe puna normale. Jeta në fshat ka një listë të gjatë mangësish e problemesh tepër shqetësuese. Ndërsa kryeministri i hazdisur e tradicionalisht demagogjik Sali Berisha, del ekraneve dhe si të jetë në një planet tjetër, bën premtime false e komike për internet! Ndaj dhe banorët e zonave fshatare sa e kanë dëgjuar këtë qyfyr, kanë reaguar menjëherë. Në kundërpërgjigjen e tyre dërguar kryeministrit Berisha, ata thonë: Zoti kryeministër, lëri broçkullat me internet, po na sill ato që na duhen e që na ke premtuar: shkollat, shërbimin mjekësor e policor, kreditimin financiar, naftën me gjysëm çmimi për traktorët, plehrat kimike me çmim të ulët dhe ujin për vaditje. Këto kërkojnë banorët e fshatit. Sepse u mungojnë edhe pse qeveria i ka detyrim social për tua siguruar si qeverisje dhe si premtim elektoral, me të cilin kërkoi e mori qeverisjen. Praktikisht nuk i ka realizuar. Dhe për të mbuluar dështimin dhe mashtrimin e qeverisjes së tij, kryeministri Sali Berisha nuk u çon banorëve të fshatit ato që u kërkon jeta dhe puna, por u dërdëllis broçkulla me shegë, lajthi, boronica e internet! Mjafton të bësh një vështrim sipërfaqësor jo në skaje, por edhe në periferi të Tiranës, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës, Dibrës, Vlorës, Fierit, Lushnjës etj dhe shikon se fshati shqiptar është tjetërsuar në një hapësirë fizike gjigande, me pamje e infrastrukturë të kohës së mesjetës, me jetë në mjerim. Po a është normal kryeministri ynë që premton internet kur fshati është shqiptar është katandisur në gërmadhë? Natyrisht që JO, por ja që sytë e kryeministrit shikojnë se në fshatin shqiptar ka parajsë sociale, ekonomike e infrastrukturore dhe sipas mendjes së tij, paska mbetur vetëm interneti pa u çuar pranë fshatarëve! Po çfarë ndodh realisht në fshatin shqiptar, me të cilin kryeministri Sali Berisha tallet e bën llogje, me çuarje interneti?!
- Në 90% të fshatrave ka shfrytëzim të tokës në nivelin 10-20%, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 80% e tokës bujqësore vazhdon të shfrytëzohet në kushte primitive, me tërheqje të parmendës me gomerë e njerëz, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 65% e popullsisë në fshat, po jeton në nivelin e plotë të varfërisë ekstreme, ndërkohë që 20% jeton nën nivelin e varfërisë ekstreme, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 33% e fëmijëve të moshës shkollore 6-18 vjeç nuk shkojnë në shkollë, sepse punojnë për të siguruar bukën e gojës, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 80% e fshatrave shqiptarë nuk kanë as mjekë, mami, e farmaci, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 45% e fshatrave dhe zonave nuk kanë as shkolla fillore, 9-vjeçare e të mesme, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 75% e familjeve fshatare nuk e punojnë dot tokën për shkak të çmimit të lartë të naftës e plehrave kimike, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 70% e zonave fshatare nuk kanë mundësi vaditjeje, sepse nuk qeveria nuk u ka siguruara sistemin vaditës, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 80% e prodhimit blegtoral në fshatra mbetet pa u shitur, mbasi qeveria monopoliste e qeveritarëve favorizon produktet e importit, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 70% e prodhimit bujqësor e agro-ushqimor mbetet pa u përpunuar dhe shitet për një copë bukë, ose groposet, mbasi qeveria nuk mbështet prodhuesit në fshat me kreditime linjash përpunuese, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Pothuajse 100% e familjeve fshatare nuk prodhojnë as bukën e tyre, sepse kostoja e kultivim-prodhimit të grurit e misrit është e lartë, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!
- Afro 60% e fshatrave janë braktisur prej popullatës për shkak të pamundësisë për të përballuar jetën, ndërsa kryeministri Berisha tallet, duke u premtuar internet!