Radikali italian, Pannella, në mbështetje të grevës së PS-së
Politikani italian, Marco Pannella, kryetari i Partisë Radikale në Itali dhe anëtar i Parlamentit Evropian vizitoi dje kampin e grevistëve të vendosur në bulevardin Dëshmorët e kombit. Marco Pannella tha se mbështeste grevën e opozitës dhe solidarizohej me ta, ndërsa në dorë mbante një lule në simbol të paqes. Duke shfaqur admirimin e tij për grevistët, të cilët janë të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre, Pannella tha se edhe në Itali veprohej kështu për votën. Pannella veshi një triko kuq e zi, që mbajnë grevistët dhe tha për median se doja tju kujtoja të gjithëve se 2 shekuj më parë, ndodhi një gjë e çuditshme në botë. Ndodh që në mes të Revolucionit Industrial, Dikens tregon: Se për të luftuar anglezët shpikën kryqëzimin e krahëve, madje dhe i tallnin për këtë. Kështu quhej greva dhe ajo filloj jo me dhunë, duke kryqëzuar duart. Dhe ne të gjithë këtu kemi këtë trëndafil, që është ajo çka i ofrojmë edhe kundërshtarëve tanë. Nuk jemi armiq dhe luftojmë edhe për ata. Për këtë kam ardhur këtu, ku shokët e mi, admirueshëm po bëjnë në këtë anë të Adriatikut, të Adriatikut tim dhe tuajit, atë që në Itali e në botë bëjmë edhe ne.