Baraj shtrohet në spital, Rama sulmon intelektualët
Në ditën e 10-të të grevës së urisë gjendja shëndetësore e deputetit socialist, Besnik Baraj, është rënduar mjaft, duke bërë që mjekët që shërbejnë brenda çadrës së grevës të vendosin ta dërgojnë atë drejt Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Baraj pati probleme me tensionin, ndaj po merr një ndihmë më të specializuar në spital. Ndërsa kryesocialisti Rama në fjalën e tij në mitingun e pasdites ka zgjedhur të sulmojë dhjetëra intelektualë, që po i kërkojnë atij publikisht që të ndërpresë grevën. Rama i ka cilësuar artistë dhe intelektualë nga të gjitha fushat firmosësit e shoqatave të Enverit, duke bërë analogji me atë çfarë bënte sistemi komunist në ikje në vitet 90. Dua tu them atyre që mund të mos e kishin firmosur atë palo letër. Jo të gjithë e duan lirinë, jo të gjithë e duan me të vërtetë demokracinë, atë ku secili gjen vendin e punës sipas asaj që vlen dhe jo kur pushteti u gjen punën në varësi të asaj që shërben. Nuk kam asgjë tjetër përveç keqardhjes, për të tjerat historia ka gjykuar dhe do të gjykojë, - u shpreh ai. Ndërkohë disa nga ata që e kanë firmosur letrën janë ndjerë të fyer nga fjalët e kryesocialistët dhe e kanë cilësuar një sulm verbal ndaj tyre sjelljen e tij. Regjisori Saimir Kumbaro tha se ka firmosur në letrën, në të cilën i bëhej thirrje Ramës të mos pengonte integrimin, duke besuar se nuk është greva rruga e duhur për të zgjidhur problemet. Ndërsa Bujar Kapexhiu tha se kjo që po bën Rama nuk e ndihmon vendin. Këngëtari Sidrit Bejleri i kujton Ramës se është Parlamenti shtëpia e politikanëve dhe atje duhen zgjidhur çështjet. Sipas tij, ata që janë në grevë i kanë vizat në pasaportë dhe nuk e kuptojnë çfarë heq një qytetar për të marrë një vizë.