“Liriku i dhimbjes së bukur”, mbrëmje poetike me Skënder Rusin
Pas vëllimeve poetike, “E paske një mall”, “Dhe vjen një moshë”, “Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra”, “Gruaja mëkatare”, “Duhet të duhemi”, “Simfonia e takave”, etj., poeti korçar Skënder Rusi ka organizuar para publikut artdashës të “qytetit të serenatave” një mbrëmje të veçantë poetike të titulluar “Liriku i dhimbjes së bukur”. Aktiviteti u zhvillua mbrëmjen e së enjtes në sallën e teatrit Korçës “Andon Zako Çajupi”. Poezi të zgjedhura të autorit janë interpretuar nga artistët e njohur të Teatrit Kombëtar, Timo Flloko e Yllka Mujo, por edhe nga aktorët korçarë, Zamira Kita e Ligoraq Riza. Për mëse 60 minuta aktorët kanë recituar poezi të zgjedhura nga krijimtaria e deritashme e poetit Rusi, ndërkohë që duartrokitjet dhe interesi i treguar nga publiku nuk ka munguar. Në përshëndetjen e tij, shkrimtari Dritëro Agolli është shprehur: “Unë e veçoj Skënder Rusin që jeton në Korçë. Poezia e tij këndon dhe do të thosha se ai është ndër lirikët më të mirë në komunitetin e poetëve bashkëkohorë”.
Ky aktivitet i veçantë me skenarist Zyhdi Moravën, u organizua me mbështetjen e Bashkisë së qytetit në kuadër të nxitjes së veprimtarive kulturore me figura të spikatura të artit korçar.
10 Maj 2008