Radioja ruse: Rekrutime terroristësh islamik në zonat shqiptare në Ballkan
Maqedoni- Agjencia e lajmeve ‘INA’ duke iu referuar radios ruse “Zëri i Rusisë”, shkruan sot se media ruse ka bërë të ditur se në Maqedoni po stërviten të ashtuquajtur terroristë islamik për sulme vetëvrasëse me bomba.
Sipas ‘INA’-s lajmi është transmetuar sot nga shumica e mediave maqedonase, të cilat kanë shkruar se burimet e radios ruse bazohen në informacione sekrete të shërbimit sekret rus në Ballkan.
“Sipas këtij lajmi, qëllimi i stërvitjeve është krijimi i një të ashtuquajture aleancë islamike në Ballkan, midis Bosnjës, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, pjesës jugore të Serbisë dhe Malit të Zi. Lajmi i tillë godet kryesisht shqiptarët duke i ndërlidhur ata gjoja me veprime terroriste, sepse gjoja ata operojnë nën ombrellën e Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH).
Po rekrutohen boshnjak dhe shqiptarë me pamje sllave, për të kryer aktivitete terroriste në tërë botën, për shkak të vështirësisë së identifikimit dhe zbulimit të tyre”, shkruan ‘INA’ duke cituar radion ruse.