Radovani-Paço, duet në Akademinë e Arteve
Koncerti i radhës së Stinës Koncertore të Pranverës në Akademinë e Arteve ngjit në skenë dy pedagogë. Sot në orën 19:00 në sallën e madhe të Akademisë interpretojnë Lorenc Radovani (violinë) dhe Arian Paço (violë). Në programin e mbrëmjes pjesë nga Thoma Gaqi, "Scherzo për violinë dhe violë", Çesk Zadeja,"Humoreska", Mozart," Duo në sol Mazhor", Hoffmeister,"Duo në sol mazhor" Wieniavsky, "Capriçio nr 2" etj.
Përkujtohet me dy vepra poeti Vilson Blloshmi
Familja e Vilson Blloshmi përkujton 61-vjetorin e lindjes së poetit me botimin e dy veprave. Sot në orën 11:00 në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve prezantohen veprat të cilat përmbledhin krijimtarinë e tij, poezi, përkthime dorëshkrime, letërkëmbime etj.
Në këto dy vëllime hartuar nga studiuesi Sadik Bejko, lexuesi gjen edhe poezi të papublikuara më parë dhe materiale që janë nxjerrë nga dosja e hetuesisë së Blloshmit.
Më 17 korrik 1977 nën akuzën "për sabotim në ekonomi" dhe "agjitacion e propagandë" ai u ekzekutua me pushkatim dhe përkrah kishte shokun e vuajtjes, poetin Genc Leka.