E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët e prokurorët, udhëtimet jashtë, 4 herë më shumë në 2008-ën

Një zyrtar gjykate ka udhëtuar gati çdo dhjetë ditë jashtë, përgjatë tre viteve


TIRANË- Për të kuptuar më mirë gjendjen sociale, së cilës i përkasin gjyqtarët dhe prokurorët, raporti i "Watch dog", për herë të parë ka bërë një investigim edhe për udhëtimet jashtë shtetit dhe pushimet, si dy indikatorë që shërbejnë për të përcaktuar nivelin e jetesës.


Janë marrë për studim udhëtimet jashtë vendit, në periudhat 2005, 2006, 2007, 2008 dhe qëllimi është të krijohet një panoramë sa më e qartë e situatës sociale të zyrtarëve të drejtësisë, pavarësisht se të dhëna të tilla nuk përfshihen në detyrimin ligjor të deklarimit të pasurisë.

Sipas të dhënave të marra nga disa gjykata, një gjykatës mund të udhëtojë zyrtarisht jashtë shtetit jo më shumë se 1 ose 2 herë në vit, dhe kjo për një numër të vogël gjyqtarësh. Ndërkaq, udhëtimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas viteve janë: në 2005-ën janë bërë 84 udhëtime, në 2006-ën janë bërë 119, në 2007-ën janë bërë 134 dhe në 2008-ën janë kryer plot 118 udhëtime jashtë shtetit.

Referuar shifrave të mësipërme, i takon që çdo gjyqtar ose prokuror, ka udhëtuar afërsisht tre herë jashtë shtetit në vitin 2005, afërsisht katër herë në vitin 2006, afërsisht pesë herë në vitin 2007, dhe katër herë në vitin 2008. Ka gjyqtarë, të cilët nuk kanë udhëtuar asnjëherë, siç ka gjyqtarë që, brenda një viti, ka udhëtuar jashtë vendit, me makinë ose avion, 46 herë, ose ndryshe, çdo javë.

Ndërkohë, një element tjetër që e bën më të plotë këtë panoramë, është mjeti që përdorin zyrtarët e drejtësisë për të kryer këto udhëtime.

Nga kjo, ka dalë përfundimi se, për katër vitet e marra në studim, kanë udhëtuar me avion 117 gjyqtarë, ose 15% e tyre, me makine ose traget 637 ose 84 % dhe me autobus 3 ose 1%. Investigimi i udhëtimeve të tyre jashtë shtetit, në tri vite, tregon se edhe jeta e tyre e përditshme ka më cilësi se sa kushtet që mund t'u krijojnë të ardhurat e tyre të ligjshme.

Një zyrtar gjykate ka udhëtuar gati çdo dhjetë ditë jashtë, përgjatë tre viteve. Ndërkaq, një zyrtar tjetër ka përdorur të paktën 19 herë linjat ajrore për udhëtim, që me çmim minimal të biletës, i bie të shpenzojë 40 për qind të rrogës së tij vjetore, vetëm për bileta, pa llogaritur shpenzimet e tjera.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›