E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rahovec, sot lamtumira për një viktimë të lumit Tisa

PRISHTINE- Do t’i jepet sot lamtumira e fundit një prej viktimave kosovare të tragjedisë së lumit Tisa të Hungarisë.

Ceremonia mortore do të zhvillohet në Rahovec. Deri tani janë gjetur dhe identifikuar 11 viktima, ndërsa nuk ka gjurmë për 5 kosovarë të tjerë.

Policia e Kosovës thotë se vazhdon hetimet rreth zbulimit dhe më pas arrestimit të përgjegjësve për organizimin e udhëtimit të grupit të shqiptarëve që humbën jetën në lumin Tisa.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani i konfirmoi për RTK-në se policia e Kosovës vazhdon të jetë në kontakt me policitë e Hungarisë dhe Serbisë përmes prokurorit të EULEX-it.
Dje u varrosën Rrahim Mirena 35 vjeçar dhe bashkëshortja e tij Valbona Curri-Mirena 30 vjeçare nga komuna e Obiliqit, si dhe Florian Ademi, 11 muajsh. Ende mbetet i paqartë fati i tri vajzave të ciftit Mirena - Doruntinës 8 vjeçare, Dafinës 5 dhe Agnesës 2 vjeçare, të cilat natën kur është përmbysur barka në lumin Tisa, ndodheshin së bashku me prindërit e tyre.

Një varkë në të cilën udhëtonin 16 kosovarë u përmbys në lumin Tisa në kufirin mes Serbisë e Hungarisë mes 15- 16 tetorit të këtij viti. Tragjedia u denoncua nga një i mbijetuar në mediat kosovarë më pas autoritetet ndërmorrën kërkimet për gjetjen e trupave.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›