E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitje intensive për marrjen e masave në përgjigje ndaj emergjencave dimërore

Ministri i brendshëm Lulzim Basha takon drejtuesit vendorë

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u ka komunikuar prefektëve dhe nëpërmjet tyre, drejtuesve vendorë masat që duhet të marrin për parandalimin dhe përballimin e emergjencave që mund të krijohen gjatë stinës së dimrit.
“Në javët në vijim secili prej prefektëve, veçanërisht ata të qarqeve më në rrezik, duhet të inventarizojnë dhe njohin situatën për çdo aspekt. Të sigurohet gatishmëria e strukturave lokale për të përballuar hapjen e arterieve kryesore rrugore të qarkut. Çdo zonë dhe veçanërisht zonat e thella të kenë stoqe të mjaftueshme medikamentesh bazë për popullsinë. Të sensibilizohen drejtuesit lokalë dhe nëpërmjet tyre popullsia për përgatitjet e duhura. Të kontrollohet gjendja dhe gatishmëria e hidrovoreve, rezervuarëve, digave e dampave në çdo cep të territorit për të cilin jeni përgjegjës. Të merren masat për furnizimin me energji të vazhdueshme të gjitha objekteve me rëndësi të veçantë në raste emergjencash. Ju duhet të keni plane operacionale plotësisht të zbatueshme në rast të rëndimit të situatës përtej pritshmërisë së zakonshme.”
Udhëzimet e ministrit Basha u bënë gjatë takimit konsultativ me prefektët e qarqeve dhe përfaqësuesit e strukturave qendrore. “Ju bëj thirrje që të merrni personalisht situatën në dorë. Do të keni mbështetjen e plotë të gjithë strukturave përgjegjëse dhe ato mbështetëse. Ministria e Brendshme do të japë mbështetjen e plotë financiare dhe materiale për t’iu përgjigjur çdo lloj situate”, tha Basha.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli paraqiti një informacion të përgjithshëm për situatat emergjente gjatë vitit 2009. Gjithashtu nga fondi i emergjencave civile është akorduar një fond prej 22.5 milionë lekë për të ndihmuar familjet me dëme në banesa, shpërndarjen e 47 tonë ndihmave ushqimore dhe 416 çadrave për strehim të përkohshëm, duke bërë të mundur asistimin e 3650 familjeve të prekura nga fatkeqësi të ndryshme në 72 njësi të qeverisjes vendore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›