E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet tuneli i Durrës- Kukës, punëtorët: Kemi frikë të punojmë

KUKES- Shembja masive të dy netëve më parë në tunelin e bllokuar të Thirrës në Kalimash, ka bërë që masive të mëdha gurësh e dherash të mbulojnë një gjatësi prej dhjetëra metrash linearë, ndërkohë që punëtorët e turnit kanë mundur të largohen duke evituar një tragjedi të rëndë.

Shembja është konfirmuar nga vetë punëtorët të cilët janë ndodhur brenda në tunel por që fatmirësisht nuk janë dëmtuar.

Një prej punonjësve rrëfen për tv NEWS24 se shembjet kishin nisur më 5 nëntor dhe se vetë përgjegjësi i firmës kishte kontaktuar me ta për ti informuar për shembjen duke i paralajmëruar për rrezikun.

Sipas punëtorëve shembja ndodhi në kilometrin e dytë të hyrjes së tunelit të Thirrës, duke krijuar përshtypjen e një tërmeti disaballësh. Gurë e dhera të shkëputura nga masivi i malit ishin shtrirë në një sipërfaqe prej afro 80 metrash linearë

Gjatë prononcimit punëtori nuk pranon të japë as emër dhe as të dalë me fytyrë para kamerave. Ai ka frikë të hyjë sërish në tunel për të punuar, por ka 5 fëmijë që e presin në shtëpi për tu ushqyer.

"Kemi frikë. Nuk mund të hyjmë më. Por kam pesë kalamaj për të rritur”- thotë punëtori për mikrofonin e NEWS24.

Ndërkohë, firma ndërtuese, “Bechtel-Enka” e quan këtë ngjarje si “rënie masivi shkëmbor si pasojë e fenomeneve gjeologjike të tokës”, pasojë e së cilës “nuk ka sjellë dëme në njerëz e makineri”. Që nga momenti i incidentit të rëndë, tuneli është i bllokuar dhe ruhet në të dy anët nga forca të policisë.

Tuneli i Kalimashit u përurua në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit nga kryeministri Berisha. Pak kohë më parë me urdhër të ministrit të Transporteve tuneli është mbyllur për një periudhë pa afat.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›