E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa, trajneri Duro do nga skuadra Kupat e Europës

Kategoria Superiore Tekniku i kavajasve mbyll merkaton: Nuk na duhen më përforcime

Besa e ka mbyllur merkaton për sezonin e ardhshëm. Ekipi i ka bërë blerjet që i nevojiteshin dhe tani është gati të konkurrojë me të mëdhenjtë e kampionatit shqiptar të futbollit, duke i vënë vetes një objektiv minimal, arritjen e një vendi që të çon në kupat e Europës në fundin e sezonit të ardhshëm (2010-2011). I këtij mendimi është trajneri i kavajasve, Shpëtim Duro, i cili i ka vënë kapakun “riparimeve” në ekip dhe tani synon konsolidimin e grupit për të rivalizuar denjësisht në futbollin shqiptar. Ditët e fundit ka pasur zëra, se në radhët e kavajasve pritet të afrohen lojtarë të tjerë, por trajneri e ka hedhur poshtë: “Besa e ka mbyllur përfundimisht merkaton. Në ekip kemi lojtarë të mjaftueshëm cilësorë për të përballuar sezonin”. I pyetur në lidhje me problemet e shfaqura nga skuadra në Europa League, ku në dy ndeshje ndaj Olimpiakosit pësoi 11 gola, trajneri thekson edhe një herë potencën e kundërshtarit dhe se Besa aktuale e projektuar prej tij, nuk kishte qëllim në vetvete të mundte skuadrën e njohur greke, por të ishte e denjë për të luftuar për realizimin e objektivave në edicionin e ardhshëm të Kategorisë Superiore. Trajneri pohon se lojtarët e afruar në skuadrën e tij kanë zëvendësuar si duhet ata që zgjodhën të largoheshin për të luajtur diku tjetër. Tashmë edhe më pak se një muaj na ndan nga fillimi i sezonit të ri. Skuadra do t’i nënshtrohet një minifaze të dytë përgatitore për të qenë e gatshme për startin e kampionatit. Objektivi i kavajasve edhe në këtë edicion do të jetë i njëjtë me atë të kaluarin: një vend për të luajtur në Kupat e Europës. “Tani na ka ngelur të mendojmë për t’u përgatitur si duhet për kampionatin. Besoj te ky ekip dhe do të përsërisim kampionatin e një viti më parë. Për ne është objektiv një biletë në kupat e Europës”, ka përfunduar Duro.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›