E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajmonda Bulku:"Kam qenë tifoze e Bayernit"

TIRANE-Një bisedë e këndshme u zhvillua dje në emisionin "Botërori ndryshe" të Denis Mingës dhe Eneida Xhelilit. Të ftuara në "News24" ishin aktorja dhe deputetja e Partisë Demokratike Rajmonda Bulku, zv. ministrja Nora Malaj, futbollistja Ana Bara, trajnerja Flora Jushi, gazetari Altin Latifi etj. Gjatë një bisede të këndshme, e gjitha për futbollin, Bulku rrëfeu emocionet që i dhuron ky sport dhe skuadrën e preferuar. Gjatë bisedës, ajo tregoi se nuk ndjek çdo ndeshje, por "kur i ndjek ndeshjet përfshihem emocionalisht, e bëhem tifoze. Megjithatë nuk mundem t'i shoh të gjitha nga 90 minuta. Kur isha më e re i ndiqja, ndërsa kohët e fundit jam shkëputur. Kam qenë tifoze e Gjermanisë në kohën e Franz Beckenbauer". Më tej ajo u shpreh se Shqipëria ka pasur gjithnjë tifozë të Gjermanisë e Italisë. Sa i takon botërorit të sivjetshëm, Bulku tha se është interesant fakti që zhvillohet në Afrikë, një vend pak i eksploruar e sidomos në futboll. Më tej teksa u fol për vajza që luajnë futboll, ajo vlerësoi Flora Jushin, trajnere e ekipit të futbollisteve të Rubikut për punën e saj, duke shtuar se vajzat që luajnë kanë bukuri sportive, janë më të forta fizikisht, më të bukura dhe më të shëndetshme. Bulku e cilësoi futbollin si spektakël, e pavarësisht se kush fiton, ajo tha se fituesi e ka merituar. Tek skuadrat që japin spektakël ajo foli për Gjermaninë, Anglinë e Italinë. Më tej duke u ndalur tek lojtarët e bukur, ajo tha se bukuria ndikon, por nuk është thelbësore. "Maradona s'ka qenë i bukur, por ka qenë lojtar i mirë e të gjithë e kanë dashur. Ndërsa Beckam, është i bukur, por duket se e ka përdorur tepër imazhin e tij, për mua i mirë është Ronaldo", - tha ajo.
Emisioni "Botërori ndryshe", ka startuar në datën 11 qershor, datë kur filloi kampionati botëror i futbollit, dhe do të zgjasë po aq sa edhe kampionati. Në të, të ftuarit do jenë vetëm femra, dhe kjo e bën këtë format televiziv akoma më të veçantë dhe më të ndjekur nga publiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›