E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajoni po sheh mundësinë e zëvendësimit të taksës së sheshtë me taksë progresive

Share

Nga Jonilda Koçi

SETimes

Një taksë e sheshtë, e zbatuar në dekadën e fundit në shumë vende të rajonit, nuk e përmirësoi ndjeshëm rritjen ekonomike, investimin e huaj të drejtpërdrejtë (FDI), punësimin apo të ardhurat e taksave dhe disa ekspertë argumentojnë se rajoni është më mirë ta heqë atë.

Bosnje dhe Herzegovina futi normën më konkurruese prej 10% në 2004; Shqipëria e pasoi në 2007 dhe Bullgaria në 2008. Rumania futi taksën e sheshtë më të lartë në 16% në 2005, pasuar nga taksa e sheshtë e Malit të Zi prej 15% në 2007. Serbia ka pasur një taksë të sheshtë prej 14% që nga 2003.

“Në atë kohë [2007], Bullgaria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi konkurronin me BE dhe OECD me një taksë fitimi korporate veçanërisht të ulët. Shqipëria nuk pati luksin të mbetej prapa në këtë ‘luftë taksash’ për të fituar FDI,” i tha SETimes Florian Mima, një anëtar i Partisë Demokratike që punoi në zbatimin e sistemit të taksës së sheshtë në Shqipëri.

Qeveria shqiptare, dhe ato në rajon, thanë se shpresonin të rrisnin FDI-në si dhe konsumin nga ata me të ardhura të larta e të mesme.

“Reforma e përgjithshme e taksave ndihmoi thjeshtëzimin e sistemit të taksave, rritjen e investimit, eksporteve, punësimit dhe të ardhurat e shtetasve. Ajo përballi gjithashtu korrupsionin dhe sektorin informal,” tha Mima.

Por opozita e Partisë Socialiste të Shqipërisë po kryeson mësymjen për të kthyer sistemin progresiv të taksave në qoftë se fiton zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

“Sistemi i taksës së sheshtë duhet të hiqet sepse nuk është i drejtë apo i ndershëm,” i tha SETimes Ilir Beqja i Partisë Socialiste.

Disa ekspertë si Xhavit Curri, ish nënkryetari Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave të Shqipërisë, janë dakord, duke argumentuar se taksa e sheshtë rriti ngarkesën fiskale për shumë shqiptarë.

Më e rëndësishme, ajo transferoi ngarkesën nga kompanitë te individët dhe në këtë mënyrë preku konsumin.

“Individët paguajnë dhjetë deri 20 herë më shumë taksa krahasuar me taksimin progresiv. Taksat për punonjësit si në sektorin privat dhe publik u rritën me 95%. Në vetëm një vit, qeveria mblodhi 120 milion $ [93.5 milion euro] më shumë nga ata me paga të ulëta e të mesme,” i tha Curri SETimes.

Opinionet janë të ndara gjithashtu në se bizneset përfituan nga reforma e taksës. Mima argumentoi se më shumë para në duart e bizneseve u përkthyen në më shumë investime, eksporte, punësim dhe më shumë të ardhura për shtetasit.

“Bizneset, për shkak të intuitës së tyre, mund të investojnë më shumë e më mirë se qeveria me paratë e kursyera nga pagimi i më pak taksave,” tha ai.

Në ndryshim, Beqja argumentoi se korporatat e mëdha, që përbëjnë 10 deri 15% të bizneseve në Shqipëri, përfituan. “Ato llogariten për 25% të xhiros dhe patën 50% të fitimit dhe janë përfituesit e vërtetë në këtë histori,” tha Beqja.

Që nga futja e taksës së sheshtë në 2007, 22.000 punëtorë në vendet intensive të punës humbën punët e tyre, sipas Arbjan Maznikut, i cili mbikëqyr platformën e politikës së punës të Partisë Socialiste. Vendet e punës me punë intensive mbështeten më shumë te njerëzit se sa punët e prodhimit që mbështeten më shumë në makineritë.

“Taksa e sheshtë ka…rritur kostot e punës dhe i zuri frymën një sektori që punëson një në tre shtetas në Shqipëri,” i tha Mazniku SETimes.

Por deputeti i Partisë Demokratike Selami Xhepa tha se taksa e sheshtë është rekomanduar zakonisht për vende me administratë të dobët taksash, të tilla si Shqipëria.

“Ngarkesa e ulët e taksës shërbeu si kompensim për qeverisjen e keqe dhe koston e lartë të transaksionit, që do të thotë se mungesa e efektshmërisë është balancuar me taksa më të ulëta,” i tha Xhepa SETimes.

Për shkak të taksës së sheshtë, taksa e përgjithshme e Shqipërisë është nën mesataren botërore, por përshtatja është më shumë kohë-konsumuese dhe individët duhet të dërgojnë më shumë pagesa taksash.

Por efekti më i vështirë është rritja e ngarkesës së taksës në ata me të ardhura të ulëta e të mesme anembanë rajonit, sipas Milojko Arsiç, ekspert ekonomik në Fondacionin për Përparimin e Ekonomisë në Serbi.

Arsiç argumentoi se zgjidhja është të reduktohen taksat mbi këtë kategori dhe të rritet taksa e vlerës së shtuar (TVSH) në vend të kësaj. “Me më shumë të ardhura nga TVSH, qeveria mundet të synojë më saktë masat për segmentet vulnerabël të popullsisë,” i tha Arsiç SETimes.

Përveç kësaj, rritjet e TVSH-së do të preknin vetëm lehtazi konsumin midis njerëzve me të ardhura të ulëta. Norma në Serbi është 18% për shumicën e mallrave dhe 8% për “mallrat bazë” të tilla si buka, qumështi dhe ilaçet.

Deri tani, taksa e sheshtë nuk solli efektet e dëshiruara. Në fakt, sipas raporteve të Bankës Botërore dhe EBRD për 2011, FDI ka rënë anembanë rajonit.

Në Shqipëri, BH, Maqedoni dhe Serbi, FDI u ngadalësua që nga gjysma e dytë e 2008 dhe tani është 60% më pak se sa niveli i parakrizës, në 2007.

Në Bullgari, FDI ra nga 9.5 miliard euro në 2008, në 1.9 miliard euro në 2010, sipas raportit të EBRD 2011. Ngjashmërisht, Rumania ka provuar uljen e FDI për së paku katër vitet e fundit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›