Një Berishë i rraskapitur në mbledhjen e qeverisë: Do rrisim pagat e pensionet me 5 përqind
Berisha sulmon sërish kryetarin e opozitës për shifrat e papunësisë dhe shprehet se Edi Ramës kur nuk i intereson Fatos Nano, e çon tek Sokol Balla
Kryeministri Sali Berisha u shfaq i lodhur në mbledhjen e sotme të qeverisë. Duke folur gjysma fjalish dhe duke komentuar shifra që i bëri lëmsh, Berisha premtoi se ka ndërmend të rrisë sërish pagat e pensionet për shqiptarët. Rritja e rrogave e pensioneve prek direkt 800 mijë familje shqiptare, tha Berisha.
Kryeministri tha se pagat e ulëta do rriten me 5 përqind, kurse ato të larta mund të mos rriten fare.
Kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së Europës, krizës së borxheve që ka ndikuar edhe në ekonominë shqiptare, por siç fakton Komisioni Europian në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri natyrisht nuk ka ritmet e viteve 2006-2008, por rritja ekonomika sipas raporti në 4 vitet e fundit kulmore të krizës është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit, tha Berisha.
Kurse për pensionet Berisha tha se rritja e pensioneve të ulëta do jetë pesë përqind, kurse e pensioneve të larta 4 përqind.
Më pas kryeministri Sali Berisha sulmoi Ramën për minuta të tëra. Ai përsëriti sërish shprehjen që thotë se e ka thënë Ramiz Alia.
Njeriu që urrente kombin e tij, pasi deklaroi se shqiptarët janë një milion hajdutë, një milin spiun dhe një milion të papunë, për ti denigruar ata se regjimi i tij dhe diktatura hoxhiste bëri që si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre ata të braktisin vendin e shkatërruar dhe në katastrofë të plotë dhe të shkojnë në vendet fqinje për një jetë më të mirë. Të deklarosh se ka 1 milion të papunë do të thotë të mos njohësh numrat e shifrat, tha Berisha.
Kryeministri tha se Edi Rama kur do e përdor qeverisjen e Nanos për mirë dhe kur Fatos Nano kur nuk i intereson, e çon tek Sokol Balla. Por Berisha tha se çdo krahasim me qeverinë e Nanos nuk qëndron, pasi rritja ekonomike, mbledhja e të ardhurave dhe rritja e pagave e pensioneve ka qenë në nivele shumë të larta.
U mora me këtë se e vë re se ka ngelur në stadin e ngjyrave, tha Berisha.