Koncesionet, KLSH kap 17 milionë dollarë shkelje tek METE

Gjate nenshkrimit te marreveshjes qeverisese PD-LSI ne 2009-n
Emirjon Senja
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar një kontroll pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjatë të cilit është fokusuar tek koncesionet dhe procedurat që janë ndjekur për lëshimin e licencave. Pas kontrollit, KLSH raporton se ka hasur në një mal me shkelje, të cilat sipas ekspertëve të saj vlerësohet të jenë rreth 1.8 miliardë lekë. Kontrolli është fokusuar tek procedurat e ndjekura për 86 HEC-e dhe licencat për shfrytëzimin e rezervave të bakrit.
Gjatë kontrollit, KLSH deklaron se vetëm nga vonesat në realizimin e 73 projekteve për ndërtime HEC-esh, kompanitë private i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 595 milionë lekë. krahas kësaj, nga kontrolli është vërejtur se gjashtë kompani nuk kanë paguar tarifën e koncesionit, e cila përllogaritet në rreth 11.8 milionë lekë. Për 13 koncesionarë të tjerë të cilët ndonëse kanë mbi 2 vjet që kanë filluar nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike, nuk disponohej asnjë e dhënë për këtë pagesë në masën 2-5 për qind të energjisë së prodhuar në favor të METE. Theksojmë se, për 30 HEC-e n METE nuk disponohet asnj lloj dokumentacioni ekonomik, megjithëse disa prej tyre janë në faza të ndryshme punimesh,- vijon raporti.
Sipas këtij institucioni, në disa procedura të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik për dhënien e koncesioneve janë konstatuar vendosje të pa argumentuara dhe të tejzgjatura të afateve në kërkesat e vendosura nga METE për përfundimin e ndërtimit të objekteve. Kjo siaps KLSH-së, ka bërë që për HEC-e me fuqi të vogël të instaluar e prodhues të vegjël, ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e tyre, të planifikohet për një periudhë kohore shumëvjeçare. Në auditimin e procedurave konkurruese të zbatuara nga punonjësit respektive përgjegjës në METE, audituesit e KLSH kanë konstatuar një sërë mangësish proceduriale, duke filluar nga moskryerja e procedurës së negocimit të kontratave sipas ligjit, mos nënshkrimi i dokumenteve nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe deri në veprime fiktive dhe formale nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve, – shpjegon KLSH.
Për të gjithë këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka sugjeruar marrjen e masave nga ministria por edhe organet e tjera, të cilat fillojnë nga ndryshimet ligjore e deri tek detyrimi i kompanive koncesionare për të shlyer këto detyrime ndaj arkës së shtetit. Pjesë e sugjerimeve është edhe marrja e masave ndëshkuese ndaj personave përgjegjës në ministri për këtë situatë. Krahas kësaj, KLSH kërkoi mos shtyrjen e mëtejshme të kontratave me ato kompani që nuk kanë realizuar projektin në fushën e ndërtimit të HEC-eve.
Dëmi total 1.8 miliardë lekë nga të cilat:
1. Nga moszbatimi i kushteve të kontratave koncesionare, nga 126 kontrata të audituara, rezultuan me shkelje të ndryshme 84 prej tyre, ndërkohë që në 24 kontrata u konstatuan mos llogaritje dhe mo sarkëtim të penaliteteve me pasojë dëm ekonomik në vlerë 595,146,011 lekë.
2. Nga mos arkëtimi i Fee Koncesionare nga koncesionerët që kanë shitur në KESH sh.a. prodhimin e energjisë dëmi ekonomik llogaritet në vlerën 11,780,652 lekë.
3. Nga mos arkëtimi i sigurimit të ofertës, llogaritet një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në shumën 860,000 euro ose 108,633,516 lekë. Kurse, nga mos sigurimi i aseteve mungesa e të ardhurave llogaritet në shumën 92,443 USD ose 9,244,300 lekë.
4. Gjithashtu, nga mos implementimi i VKM nr. 150, datë 22.03.2007 Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (mos pagesë e tarifës ATRAKO-s), mungesa e të ardhurave llogaritet në vlerën 1,113,730,319 lekë.