Rajoni, zhvillimi ekonomik në rritje, por shqetësimet për inflacionin shtohen
Banka e Evropës Lindore e ngriti prognozën e saj për rritjen në vendet e rajonit dhe u dëshmoi këtyre vendeve një aftësi të papritur për t'u rezistuar problemeve aktuale të ekonomisë botërore.
Megjithatë, në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në ish-Republikat Sovjetike ka rrezik të rriten inflacioni, konkludoi Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), në mbledhjen vjetore në Kiev.
Rritja ekonomike në Lindje të Evropës vazhdon
Vendet e Azisë Qendrore, të ish-BS, të Ballkanit, të Evropës Qendrore dhe Lindore ka disa vjet që raportojnë rritje të majme ekonomike; mesatarisht, rajoni u rrit ekonomikisht vitin e fundit me rreth shtatë përqind. Edhe këtë vit nuk pritet të jetë shumë më pak, beson BERZH-i. Ai parashikon një rritje prej 6 përqind të rajonit, thuajse të paprekur nga kriza e kreditit dhe dobësia ekonomike e disa vendeve perëndimore.
Erik Berglof, krye ekonomist i bankës: "Ne konstatojmë një ngadalësim, por vetëm një shumë të moderuar. Disi më fort ai prek vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, më pak shtetet e Bashkësisë së Shteteve të pavarura. Ne mund të diskutojmë se me sa ka të bëjë kjo. Por kjo është diagnoza"
Vendet reformatore të paprekura nga kriza e kredive
Bankat e vendeve reformatore gjithsesi nuk janë të prekura nga kriza e kreditit: bankat e këtyre vendeve zakonisht kanë qenë kaq fort të preokupuara me rritjen e vrullshme në biznesin vendas të parave, sa që nuk kanë pasur angazhime të rrezikshme në botën e jashtme, për shembull në tregun amerikan të hipotekave. Rreziku më i madh tani kërcënon nga brenda: bumi i vazhdueshëm shkarkohet pjesërisht në ngritje gjithnjë e më të shpejta çmimesh. Kudo është rikthyer inflacioni, me përqindje dyshifrore në vendet e BE, si në shtetet balltike, në shtetet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, si Ukraina ose Kaukazi. Që spiralja e çmimeve mund të dalë jashtë kontrollit, ky është shqetësimi në shumë kryeqytete të Lindjes, edhe tema kryesore në takimin e Kievit.
Ekonomisti Berglof: "Ajo që na pret tani dhe na preokupon është inflacioni. Ai po rritet thuajse në të gjitha vendet tona. Shkaqet janë pjesërisht të natyrës kalimtare: çmimet ushqimore dhe energjitike janë ato që mbizotërojnë. Ne shpresojmë se çmimet e ushqimeve nuk do të rriten përjetësisht, dhe që çmimet energjetike të stabilizohen."
Veçanërisht e prekur është mikpritësja, Ukraina, e cila përpiqet t'i ndalë çmimet me kontrolle dhe kufizime eksporti për produktet agrare. BERZH-i kërkon kudo disiplinë fiskale. Sepse gradualisht, me rritjen e të ardhurave, rritja ekonomike mbërrin edhe te njeriu i vogël- por kërcënon që të eliminohet menjëherë nga rritja e çmimeve.