E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni i amerikanëve

Amerikanët e shkretë me bukë, qeveria e Berishës me gurë! Nuk lanë fond pa dhënë taksapaguesit amerikanë për qeveritë e Tiranës, por avazi i zyrtarëve tanë, është ai i pari: Të vjedhin në këtë vend, se ia vlen të bësh pak burg, kur ke siguruar jetën për tre breza. Dje ndodhi tamam si me porosi për t'ua përplasur në fytyrë amerikanëve të USAID-it, që nuk lanë qoshe të administratës pa informatizuar, që të shmanget sa më shumë xhepi i babëzitur i zyrtarëve shqiptarë. Por nuk është e thënë: ata dje përuronin zyrat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informimit (AKSHI), në anën tjetër, gjykata jepte pafajësi për ish-zyrtarët e zënë me presh ndër duar. Tamam "duar të pastra"! Ashtu siç e përgëzoi aq bukur pa dashje, kuptohet, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në takimin e të dielës me Administratoren e Përgjithshme të USAID-it, Henrieta Fore, kur u shpreh se: "Janë kryer arrestime të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, që nga nivelet e ulëta të pushtetit lokal e deri tek zëvendësministra" (shih www.parlament.al). Një ditë më pas, Gjykata e Tiranës këtë zyrtar të cituar nga Topalli, bashkë me disa të tjerë i dënoi me nga 1 vit e 20 ditë burg, pra i liroi. Ata i kishte arrestuar Berisha me operacionin "Duart e Pastra" dhe akuzoheshin, sipas përgjimeve, për afera korruptive në të paktën 5 tendera rrugësh.

"Mjafton të rikujtojmë këtu që me prokurimin elektronik ankesat janë zero. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë taksat t'i paguajë online",- u shpreh Berisha dje fytyrërrëzëllitur, që vazhdon avazin e "moshës digjitale", sepse korrupsioni paguan me euro në dorë, siç ua kapën atyre që fali dje gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›