Ndoka: ”Sot, kongresi legjitim për lidershipin e PKD-së”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, gjatë një konference për shtyp deklaroi se sot do të mbahet kongresi legjitim i PDK-së, ku pritet të afirmohet lidershipi aktual i partisë. Ndoka u shpreh se ky kongres vjen ndryshe nga të parët, pasi në këto momente PDK-ja gëzon një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër. Njëkohësisht Ndoka ka sulmuar kundërshtarët e tij, të cilët i akuzoi për bërjen e një kongresi farsë. “Në kongresin e sotëm të PDK-së ne do të analizojmë situatën politike në vend dhe zhvillimet e fundit brenda PDK-së, ku një grup i vogël, i përbërë nga dy-tre kryetarë degësh dhe disa anëtarë të PDK-së, gjithsej shtatëmbëdhjetë persona, organizuan një kongres farsë në bashkëpunim edhe me dy partitë rivale të PDK-së dhe të nxitur nga segmente okulte të politikës, të cilët ndjehen xhelozë dhe kërkojnë të dëmtojnë imazhin e PDK-së në sytë e opinionit publik”, - tha Ndoka. Më tej Ndoka u shpreh se PDK-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e maxhorancës në qeverisje. “Partia Demokristiane ka një marrëveshje bashkëqeverisje me kryeministrin dhe kryetarin e maxhorancës dhe është duke ushtruar përgjegjësitë e veta me shumë aftësi dhe profesionalizëm. Grupi Parlamentar i PDK-së, me qëndrimet e tij unanime, ka kontribuar në demokratizimin e jetës parlamentare shqiptare për konsolidimin dhe institucionalizimin e vlerave të veta demokratike. Kontributi parlamentar demokristian është shprehur në zgjedhjen e Presidentit të Republikës pro ndryshimeve në paketën kushtetuese dhe nisma të ndryshme ligjore dhe ekzekutive për realizimin e reformave në vend”, - tha më tej Ndoka.
8 Maj 2008