SHBA: Ngërçi politik po pengon statusin e vendit kandidat
TIRANË Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngërçi politik në Shqipëri vijon të mbetet një shqetësim i vazhdueshëm. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së, Ian Kelly, tha se qeveria amerikane vijon të jetë e shqetësuar nga pasojat e ngërçit politik në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale të majit, që po pengojnë më tej reformat që duhet të kryejë Shqipëria, për të marë statusin e vendit kandidat në BE. Ambasadori amerikan i bëri këto komente gjatë takimit të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Shtetet e Bashkuara, tha ambasadori Kelly, përshëndesin vendimin e Partisë Socialiste për t’u kthyer në parlament. “Uashingtoni,- tha ai, i bën thirrje Partisë Socialiste të përmbushë angazhimin e saj për një pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament, si dhe i bën të njëjtën thirrje koalicionit qeverisës, të krijojë një klimë politike më gjithpërfshirëse”. Ambasadori amerikan shprehu gjithashtu shqetësimin e qeverisë së tij lidhur me korrupsionin në Shqipëri, që siç u shpreh ai, “vazhdon të mbetet problematik”. Ai tha se disa hapa në drejtimin e duhur janë marrë, si përputhja e legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar për anti-korrupsionin, si dhe vendosja e sistemit elektronik të tenderimeve. Por, theksoi ambasadori Kelly, lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm në se palët nuk e përdorin atë për të siguruar përfitime partiake. Shqipëria,- shtoi ai, ka arritur përparime në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qënieve njerëzore. Sipas ambasadorit amerikan, Shtetet e Bashkura dhe Shqipëria, kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të dy vendet janë të angazhuara t’i forcojnë më tej lidhjet mes qeverive dhe popujve të tyre.