Rama: 11 maji takim me historinë, mundësi për pasaportën europiane

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian u krijon qytetarëve shqiptarë shumë mundësi të rëndësishme, si në aspektin personal, profesional, ekonomik dhe shoqëror.
Në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët përmes rubrikës “Sy m’sy”, në rrjetet sociale, Kryeministri Rama u shpreh se qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian për punë, studime, madje qytetarët shqiptarë do të fitojnë të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur në disa institucione politike të Bashkimit Europian.
Në nivel lokal, Rama tha se me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, qytetarët shqiptarë, mund të votojnë dhe të kandidojnë në zgjedhjet lokale të atij vendi, si për këshillat bashkiake apo komunale, edhe pa qenë shtetas të atij vendi, mjafton të kenë rezidencë aty.
“Kjo nuk është vetëm një fushatë, por takim me historinë. Është mundësia historike që ne kemi, fati ynë që janë përputhur yjet e Shqipërisë me ato të Bashkimit Europian, për të përmbyllur një histori të pafundme drejt shkrirjes së plotë me BE-në, për të qenë më në fund europian me ligje e zakone”, theksoi Rama.
Pasaporta, vijoi Rama, zgjidh një gjë të pazgjidhur prej shekujsh.
“Iu jep shqiptarëve statusin e dinjitetit. Ai status përkthehet në shumë gjëra. Me atë pasaportë je qytetar i lirë e i barabartë i një territori më të madh se Shqipëria, në të gjitha drejtimet, që nga e drejta e punës, sigurimet shëndetësore, shoqërore, njohja e pensioneve e të tjera. Ajo pasaportë do t’i japë mundësi shqiptarëve që me të, në Greqi, Itali, etj të zgjidhen në këshillat bashkiakë si shqiptarë, të zgjidhen kryetar komunash e bashkish. Të zgjidhen në Parlamentin Europian dhe atë pasaportë mund ta përdorin për të gjitha veç për një gjë nuk do të munden. Nëse duhet të bëhen deputetë të atyre vendeve, duhet të jenë nënshtetas”, shpjegoi Rama.
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për gjuhë të ashpër në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit.
Rama tha se gjuha e tij është “shpatë“, pasi përdor sarkazmën dhe metaforën, por se kurrë nuk ka drejtuar drejt kundërshtarëve të tij politik akuza penale, si hajdut, mafioz, etj.
“Këta që ankohen me demek për gjuhën time, ju djeg se unë gjuhën e kam “shpatë“, është gjuha që kam mësuar nga mësuesit e mi, që janë Fan Noli e Faik Konica, “shpatarët” e mëdhenj të gjuhës shqipe. 20 e kusur vite, si kam thënë njeriu hajdut, mafioz, apo vrasës, se janë akuzua penale. Metaforë e sarkazëm, jam gati të vë bast me kë të dojë që asnjë fjalim i imi nuk do të ishte i papranueshëm në arkivën e parlamentit britanik, francez e italian”, tha Rama. /j.p/