E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: PS ndryshoi strategjinë e fushatave elektorale, opozita përdor SPAK-un se pse s’duhet të votohemi

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te komentet që po bëhen për fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke u shprehur se palët e tjera politike kërkojnë të përdorin SPAK-un dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit si një argument pse PS nuk duhet të votohet.

Një tjetër argument i përdorur, sipas Kryeministrit është edhe ai i gjysmës së qeverisë në burg, ndërkohë që Rama theksoi se ata që kanë pasur dhe kanë probleme me drejtësinë janë anëtarë kabinetesh të mandatit të parë, të dytë apo fillimi i mandatit të tretë.

“Ka rëndësi fakti që ne jemi në mbështetje të këtij procesi, ne nuk i vëmë pushtetin politik si karrocën para kalit pushtetit të pavarur të drejtësisë, të cilën e kemi pavarësuar ne dhe askush tjetër. Këta thonë që fushata e PS dhe Edi Ramës është tallava, është tallje me këtë atë, po si ka mundësi”, tha Rama gjatë përgjigjeve të adresuara në platformat sociale

“Këta nuk e dinë çfarë është tallavaja, këta janë përbuzës të kulturës shqiptare. Këta janë përbuzës të atij fondi thesaresh që ka krijuar kultura jonë, dhe nëse ne hapim bëjmë një takim të madh me njerëzit tanë kush na ndalon ne që aty të përdorim edhe këngë që janë nga thesari i kulturës sonë sipas qarqeve edhe valle. Kush e ka shkruar këtë që kur mblidhen njerëzit në një takim elektoral, duhet vetëm të rrinë të dëgjojnë fjalime me orë të tëra në diell. Që kur unë merrem me fushatë elektorale, analizojini si kanë ndryshuar edhe të tjerët”, vijoi Rama.

Sipas Ramës, strategjia e fushatave elektorale ka ndryshuar, pasi ka qenë PS që ka sjellë një format tjetër organizimi të tyre duke sjellë njerëz nëpër takime, që jo thjesht ulen dhe dëgjojnë.

Kryeministri u ndal edhe te komentet për bufin siç e quan Rama kreun e PD-së, dhe programi i PS-së, ndërkohë që sipas tij, në 95% të kohës gjatë fjalimeve të fushatës, ai nuk flet për kënetën, bufin, Lulin apo Vrenozin, por për sfidën historike që ka Shqipëria, atë të integrimit në familjen evropiane.

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›