“Rama, 11 vjet si kryebashkiak nuk bëri asgjë për turizmin, tani thotë barcaleta”
Reagon deputeti i PD, Gerti Bogdani
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti demokrat Gert Bogdani ka sulmuar kreun e Partisë Socialiste Edi Rama se po tregon barcaletat e radhës sa i takon investimeve në fushën e turizmit, teksa e ka akuzuar se në 11 vjet në krye të bashkisë së Tiranës, nuk hapi asnjë zyrë për promovimin e turizmit. “Kryeministri Berisha vijoi me prezantimin e planit konkret dhe të detajuar për krijimin e vendeve të punës, duke argumentuar rritjen potenciale të turizmit në Shqipëri. Kryeministri ka kohë që është kthyer në një dëgjues të vëmendshëm të zërave nga grupet e interesit. Nga ana tjetër z.Rama në fundjavë, vazhdoi me barcaleta duke konkurruar Portokallinë. Tre sloganet e tij për turizmin? Hapi i parë: Analiza e tij. Po mirë Rama, atëherë kjo është analiza, ka më shumë turistë që vijnë në Shqipëri, duke krijuar më shumë vende pune më saktë analiza tregon se numri i turistëve dhe vizitorëve është rritur nga 300 mijë që ishte në vitin 2004 në 4.7 milion në vitin 2012. Hapi i dytë: Promovimi i tij. Po mirë z.Rama, a ndihmuan grevat e tua të urisë, shpërndarja e plehrave në Tiranë nga ju si kryetare bashkie bojkotet dhe aksionet e dhunshme, në tërheqjen e turistëve në Shqipëri? Hapi i tretë: Krijimi i një Plani. Kjo është e drejtë, Plani i z. Rama, është se si të bëjë një Plan. Kjo është e gjitha. Z. Rama nuk ka asnjë plan të vetëm për rrritjen e turizmit, dhe për krijimin e vendeve të punës. Z. Rama ka vetëm slogane të sajuara në dhomën e tij të gjumit, sepse i vetmi hall që ka është të punësoje vetveten si kryetar i Partise Socialiste. Në fakt, plani i vetëm i z. Rama është të rrisë taksat, çka do të sjellë humbje të vendeve të punës. Në fakt ai e ka vërtetuar që është një mace e zezë për bizneset. Nëse do të donte, ai si Kryebashkiak i Tiranës, mund të kishte promovuar turizmin, por në fakt ai zgjodhi të kujdesej për punën e tij, dhe jo të krijonte vende pune për qytetarët. Në 11 vite, z. Rama nuk mori as mundimin më të vogël të hapte një zyrë turistike për turistët në Kryeqytet”, deklaroi Bogdani. Sipas Bogdanit, Partia Demokratike, do të vazhdojë të punojë për të krijuar vende pune përmes turizmit, duke promovuar Shqipërinë, duke zhvilluar zonat turistike, dhe duke e bërë më të lehtë për turistët që të vijnë në Shqipëri.